Kandidati në Venezuelë mallkon opozitarët
Pasardhësi i Çavez përdor tragjedinë e shekullit të gjashtëmbëdhjetë në fushatë elektorale
Presidenti në detyrë i Venezuelës, Nicolas Maduro, hodhi një mallkim mbi të gjithë qytetarët që nuk do të votojnë për të në zgjedhjet presidenciale të javës së ardhshme. Maduro, një ish-sindikalist shofer autobusi, e krahasoi rivalin e tij Henrique Capriles, me konkuistadorët spanjollë që luftuan popullatën indigjene shumë shekuj më parë.
Një mallkim shumë shekuj i vjetër, tha ai, do të bjerë mbi të gjithë ata që nuk votojnë për të. Capriles u përgjigj duke thënë se i vetmi mallkim për venezuelasit është që Maduro të fitojë zgjedhjet.
Venezuela do të shkojë në zgjedhje të dielën e ardhshme për të zgjedhur një pasardhës për Hugo Çavezin, udhëheqësin që vdiq muajin e kaluar nga kanceri.
Sondazhet sugjerojnë se Maduro, i cili ishte zëvendëspresident në kohën e Çavezit, është së paku 10 pikë para rivalit të tij.
Mallkimi i Marakapanës
Me një kapele indigjenësh në kokë në një miting në shtetin e Amazonës, një zonë përgjithësisht xhungël në kufi me Brazilin dhe Kolumbinë, Maduro tha: Nëse ndokush nga populli voton kundër Nicolas Maduro, ai po voton kundër vetes së vet dhe mallkimi i Marakapanës po bie mbi të.
Ai po i referohej një beteje të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, kur kolonizatorët spanjollë shpartalluan luftëtarët indigjenë.
Nëse borgjezia fiton, ajo do të privatizojë shëndetësinë dhe arsimi, do të marrë tokën nga indianët. Mallkimi i Marakapanës do të bjerë mbi ju, vijoi kandidati.
Analistët thonë se besimet e përziera katolike dhe animiste në shumë pjesë të Venezuelës janë një terren pjellor për këtë lloj gjuhe në fushatë elektorale.
Capriles kritikoi retorikën e Maduros. Çdokush që kërcënon njerëzit, që i thotë popullit se një mallkim do të bjerë mbi ta, nuk ka të drejtë të qeverisë vendin, tha ai në një miting tjetër. Unë i them venezuelasve, se mallkimi real është pikërisht ai grup i vogël që ne po shkojmë ta heqim qafe më 14 prill.
Në zgjedhje ka edhe pesë kandidatë të tjerë, por ata janë shumë më poshtë se dy kandidatët kryesorë.
Kandidati në Venezuelë mallkon opozitarët burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email