Kandidatura e Lana Nusseibeh për Sekretare të Përgjithshme të OKB, Rama: Një grua në krye, do të ishte shpresë e re

Kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e plotë të Shqipërisë për kandidaturën e Lana Nusseibeh, të propozuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në një reagim në platformën X, Rama e cilësoi kandidaturën e saj si një mundësi për një fillim të ri për OKB-në, në një kohë kur organizata përballet me sfida të shumta dhe vihet në pikëpyetje aftësia e saj për të përmbushur misionin.
Kreu i qeverisë shqiptare kujtoi njohjen personale me Nusseibeh gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ai vlerësoi njohuritë e saj për politikën ndërkombëtare, përulësinë intelektuale dhe aftësinë për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe këndvështrimeve të ndryshme.
Sipas Ramës, kandidatura e saj përfaqëson një dritë shprese dhe një burim energjie pozitive për Kombet e Bashkuara, duke theksuar përvojën, inteligjencën dhe përkushtimin e saj për t’i shërbyer njerëzimit pa paragjykime.
Kryeministri Edi Rama në platformën X:
Emërimi i Lana Nusseibeh nga Emiratet e Bashkuara Arabe për postin e Sekretares së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara përfaqëson një fillim të ri që komuniteti i OKB-së nuk mund ta humbasë dhe Shqipëria ndihet e nderuar t’i japë kandidaturës së saj mbështetjen e plotë.
U njoha personalisht me Lanën dhe pata mundësinë ta shihja në veprim gjatë mandatit të Shqipërisë si anëtare e zgjedhur e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjatë kësaj periudhe, pata mundësinë të vlerësoja njohuritë e saj të jashtëzakonshme për politikën ndërkombëtare, përulësinë e saj të veçantë intelektuale dhe aftësinë e natyrshme për të kapërcyer dallimet mes kulturave dhe këndvështrimeve të ndryshme.
Në këtë klimë të zymtë që rrethon sot Kombet e Bashkuara, kandidatura e Lanës përfaqëson një dritë shprese dhe një burim energjie pozitive. Në një kohë kur aftësia e organizatës për të përmbushur misionin e saj po vihet thellësisht në pikëpyetje, ajo sjell përvojë, inteligjencë dhe një përkushtim të palëkundur për t’i shërbyer njerëzimit pa paragjykime.
Dhe, e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, pas kaq shumë burrash në krye të organizatës, nuk mund të mendoj për një shpresë më të mirë për Kombet e Bashkuara sesa një grua me një profil të tillë.
/abcnews.al/