”Kandidatura e Romës për Expo 2030”, Stefanini për RTSH: Kërkojmë votën e Shqipërisë në Paris!

Diplomati italian Stefano Stefanini, nga Tirana kërkon votën e Shqipërisë vjeshtën e ardhshme në Paris, që “World Expo 2030” të zhvillohet në Romë.
Në një intervistë për RTSH, ambasadori tha se Shqipëria do të përfitojë shumë, sidomos në aspektin ekonomik dhe atë të turizmit.
Mjafton një shëtitje në zemër të Romës për të kuptuar se e meriton vërtet të quhet “Qytet i Përjetshëm”.
Historia e saj është një rrjedhë e pandërprerë mes së shkuarës dhe së tashmes, një ndërthurje e çmuar për studiuesit, unike për banorët, magjepsëse për vizitorët nga e gjithë bota.
Prej pothuaj tre mijë vjetësh kryeqyteti i Italisë jep shembullin e vazhdimësisë, aftësisë për t’iu përshtatur ndryshimeve dhe për të rikrijuar të tashmen e tij. Tashmë ky qytet paraqet kandidaturën e tij për të mirëpritur Panairin Universal 2030.
E pikërisht për të gjitha këto arsye, diplomati italian Stefano Stefanini nga Tirana tha për RTSH-në se beson fort se Roma do të ketë votën e
Shqipërisë, vjeshtën e ardhshme në Paris, në favor të kandidaturës së Romës.
RTSH (Gazetare Mimoza Haxhiaj): Ambasador Stefanini cili është qëllimi i vizitës tuaj në Shqipëri. Përse duhet që Shqipëria ta votojë Italinë?
Stefano Stefanini: Mbështetjen e Shqipërisë e konsiderojmë si diçka mëse të natyrshme, parë, sidomos, në këndvështrimin e anëtarësimit, në të ardhmen, në Bashkimin Evropian, një rrugëtim që Italia e ka mbështetur gjithmonë dhe në të cilin ka besuar plotësisht, edhe atëherë kur ishin të pakta ato vende që besonin në të, në emër të një miqësie të thellë e të sinqertë që shkon përtej kufijve të vendeve tona.
Përse zgjedhja e Romës për “Expo 2030”? Sepse do të ishte me përfitim direkt jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin e Mesdheut. Gjithashtu për të folur në detajet për fokusin që “Expo 2030”, do të ketë për debatin për qëndrueshmërinë ambientale, dhe për ndryshimet klimatike, çështje që ju interesojnë shumë shteteve tona.
Janë edhe 2 kandidatura të tjera, Riadi në Arabinë Saudite dhe Busan në Korenë e Jugut.
Por në mendojmë se nëse do të mbahet në Romë, do të jetë më mirë. Ne mendojmë se për Shqipërinë nëse do të mbahet në Romë, impakti ekonomik dhe në turizëm do të jetë i lartë.
RTSH: Sipas jush Ambasador,sa e rëndësishme është për Shqipërinë të marrë pjesë në “Expo 2030” nëse do të mbahet në Romë?
Stefano Stefanini: Shqipëria po merr pjesë në shumë aktivitete, por pjesëmarrja e saj do të ishte mirë pasi do të tregonte se çfarë ka bërë pjesës tjetër të botës.
Në mendimin tim Shqipëria ka shumë për të treguar, sepse është një shtet që ka bërë shumë për zhvillimin, dhe në 2030 ne mendojmë se do të jetë pjesë e BE.
Ne aspektin ekonomik duhet ta them se është evidente që Shqiperia përfiton, por jo vetëm nëse do ketë benefite për Italinë, do të ketë edhe për komunitetin shqiptar që jeton në Itali.
Ne mendojmë se në turizëm, mund të bejë shumë për tu promovuar pasi në “Expo 2030” presim që të ketë miliona vizitorë. Jemi 2 shtete të lidhura ngushtësisht me njëri tjetrin e normalisht pritet që ta ndihmojmë njeri tjetrin kur kemi sfida ndërkombëtare.
Roma është një vend i dashur për të gjithë shqiptarët. Në Itali, jetojnë më shumë se 700.000 shtetas shqiptarë, pjesa me e madhe e tyre ka mbërritur dhe është integruar në 30 vitet e fundit.
Përveç tyre është edhe komuniteti arbëresh i cili ka ruajtur, ndër shekuj, gjuhën dhe identitetin e tij kulturor. Marrëdhëniet e ngushta dypalëshe, në çdo fushë, mes Italisë dhe Shqipërisë, bëjnë që Roma të jetë pikësynimi i natyrshëm për çdo shqiptar, e gatshme, si gjithmonë, të mirëpresë shtetasit, institucionet, sipërmarrjet dhe çdo përfaqësues të vendit të shqiponjave që do të vizitojnë Expo 2030.
Gazetare: Mimoza Haxhiaj
/rtsh.al/