Kaosi në Kuvend, Balla-opozitës: Po i shërbeni interesit të Berishës

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla dënoi sot skenarët e kaosit dhe dhunës së Partisë Demokratike në Kuvend, ndërsa në seancën e së hënës deputetët nxorrën dhe dogjën edhe karriget.
Në një intervistë televizive, Balla tha se “djegia e karrigeve është një akt që tregon se ke djegur besimin e qytetarëve që i kanë besuar mandatin”.
Sipas Ballës, shqiptarët nuk e duan dhunën dhe kjo rrugë opozitës nuk do t’i japë asnjë rezultat ndryshe.
“Kjo që keni parë sot nga kjo forcë politike është bërë edhe para 1 viti, ishim në të njëjtën situatë, edhe para 2-3 vitesh po ashtu, në shkurt 2019 dogjën mandatet. Ka pasur ngjarje të tilla në Kuvend, nga e njëjta forcë që mendon se duke përsëritur të njëjtën marrëzi do marrë rezultat ndryshe. Shqiptarët nuk e duan dhunën, madje e kanë dënuar ashpër dhunën sa herë iu është dhënë mundësia me votë. Nëse do kisha mundësi t’iu jepja një këshillë deputetëve të opozitës, do ishte thirrja për të hequr dorë nga kjo qasje, se në demokraci pushteti fitohet përmes votës”, tha Balla.
Balla theksoi se “PD vazhdon të jetë peng i një personi”.
“Kur ti djeg mandatet, karrigen e deputetit, ti ke djegur besimin që të kanë dhënë qytetarët. Ato karriget nuk janë tonat, të është dhënë me kontratë nga populli. Kjo nuk është një ngjarje që po ndodh për herë të parë. E rëndë që prej vitit 1991, PD vazhdon të jetë peng i një personi, një person që nuk heq dorë nga e njëjta marrëzi, mendon se do japë rezultat ndryshe, nuk jep rezultat ndryshe”, tha Balla.
Për Ballën, PD është një parti e marrë peng dhe i shërben interesit të familjes Berisha.
“Është një parti në interes të një familje të caktuar. Ata që vrapojnë për të folur në emër të saj, kanë interesin duke bërë servilin e radhës ndaj Berishës, duke qenë se është mbartësi i vulës t’u japë mundësinë të jenë pjesë e listës së ardhshme në Kuvend”, u shpreh ai.
Për ministrin, Balla mandati i 4-t i qeverisjes është i domosdoshëm për të konsoliduar progresin e arritur, por edhe për të vijuar me punën për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Qytetarët janë gati t’i japin PS-së një mandat më të fortë se secili prej 3 mandateve të tjera që kanë marrë deri tani. Shqiptarët kanë kuptuar që PS ka nevojë të ketë një shumicë të cilësuar për të çuar para reformat. Mandati i 4-t do konsolidojë një fitore të madhe të PS”, tha Balla.
/m.m/