E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kaosi në Kuvend, Berisha: Rama, dhunë ekstreme, i vuri drynin Parlamentit brenda 5 minutave. Të kalojmë në veprime!

Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar me tone të ashpra pas votimit pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës të programit qeverisës “Shqipëria 2030” dhe të kabinetit të ri qeveritar.

Në një prononcim jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha foli me tone të ashpra kundrejt kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar për “dhunë ekstreme” jo vetëm ndaj Parlamentit, por edhe ndaj qytetarëve shqiptarë. Ai theksoi se opozita nuk do të pajtohet asnjëherë me këtë.

“Një kryehorr i vendosi drynin Parlamentit sipas dëshirës së tij. Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton. Ambasadorët le të flasin vetë. Unë nuk kam ndërmend të bëhem zëdhënës i askujt. Por unë bëhem zëdhënës i atij populli opozitar, dhe gjithë qytetarëve, i cili shkelmohet në këtë mënyrë nga një kryehorr, kryetar i një organizate kriminale që arrin në momentin më thelbësor të historikut të parlamentit, t’i vërë drynin brenda 5 minutave”, deklaroi Berisha.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, që u mbajt menjëherë pas përfundimit të seancës, Berisha tha se opozita do të kalojë në veprime konkrete. Ai nuk bëri me dije se çfarë aksioni do të ndërmarrë opozita, teksa shtoi se vendimi do të merret bashkërisht.

“Ndaj të nderuar deputetë, ne duhet të kalojmë në veprime, veprime dhe vetëm veprime. Ai nuk humbi kohë ndaj nesh, ai tregoi fytyrën e tij, ne do tregojmë betejën tonë për të drejtën, për Kushtetutën, për parlamentin, për qytetarin. Kjo mbledhje sigurisht që është emergjente, e jashtëzakonshme sepse situata është e jashtëzakonshme.

Asnjëri nga ne, asnjë shqiptar nuk do përfytyronte se ky bastard i xhelatëve komunistë, mund të sillej ndaj Kushtetutës dhe parlamentit në këtë mënyrë. Kështu që unë u ftoj ju të diskutojmë, të vendosim bashkërisht për përgjigjen që do t’i japim këtij akti të pashembullt. Këtij akti që tejkalon edhe imagjinatën më të sëmurë, përveç imagjinatës së tij, i cili këtë e kishte të përgatitur, sepse e paralajmëroi disa herë që do votojmë po nuk dëgjuat Diellën. Këtu kemi të bëjmë me një kompleks, me një konglomerat. Në bashkëfajësi të plotë me të është presidenti i Republikës që i dha levën për këtë qëllim”, tha Berisha.

Kuvendi miratoi këtë të enjte (18 shtator) pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës programin “Shqipëria 2030” dhe kabinetin e ri qeveritar. Opozita kontestoi ministren e re “Diella” teksa “fliste” në Kuvend, duke hedhur drejt kryeministrit dhe ministrave shishe uji dhe rregulloren e Kuvendit. Pas bllokimit të foltores së Kuvendit, mazhoranca miratoi pa pyetje e debat, programin dhe përbërjen e re të kabinetit qeveritar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›