Kaosi nuk pengon integrimin/ Këshilli politik miraton axhendën: Anëtarësimi nis para 2030

Fati i Shqipërisë shkruhet në Bruksel. Tirana nxin, por në BE e shohin të ardhmen të bardhë.
27 liderët europianë, pas debatit strategjik në Samitin e Brukselit, miratuan me konsensus strategjinë e re të zgjerimit të KE, që i hap rrugën pa pengesa Shqipërisë drejt BE.
Në deklaratën e përbashkët të Këshillit të BE, theksohet se erdhi momenti për t’u bërë gati për anëtarësime të reja në Union.
“Këshilli Evropian merr shënim Komunikatën e Komisionit mbi “Përgatitjen për një Bashkim më të gjerë” dhe i bën thirrje Këshillit të analizojë të gjitha aspektet e saj dhe, mbi bazën e kësaj analize, të çojë punën më tej”, thotë Këshilli i BE.
Po ashtu, Këshilli i BE ndau dhe detyrat, Tirana reformat, Brukseli tapetin.
“Si shtetet anëtare të ardhshme, ashtu edhe vetë BE-ja, duhet të jenë të përgatitura në momentin e anëtarësimit. Vendet që aspirojnë anëtarësimin duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre reformuese.”
Dhe efekti i parë i strategjisë së re të zgjerimit u dha menjëherë te vendi që synon anëtarësimin më shpejt, Mali i Zi.
Pavarësisht ankesave të Kroacisë, Këshilli i BE la vetëm një detyrë për vendin ballkanik, mbyllni negociatat.
“Këshilli Evropian përshëndet punën që po kryhet për hartimin e traktatit të anëtarësimit me Malin e Zi. Të punohet drejt mbylljes së përkohshme të kapitujve të mbetur të negociatave, duke pasur parasysh zbatimin e reformave përkatëse.”
Strategjia e re e zgjerimit të BE është një plan me 5 pika për të thjeshtëzuar anëtarësimin e vendeve kandidate si Shqipëria. Plani heq veton e vendeve anëtare të BE për anëtarësimet e reja, ndërsa u ofron vendeve kandidate integrimin gradual, pra anëtarësim paraprak në zonën Shengen dhe tregun e përbashkët ekonomik europian.
Tani, Shqipëria pret udhërrëfyesin e KE, për të caktuar afatet zyrtare, mbylljen e negociatave brenda 2027.