E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapen mbi 55 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar, pranga 68-vjeçarit

Një operacion i organizuar dhe i koordinuar nga oficerët e Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve në Follorinë ka çuar në arrestimin e një shtetasi shqiptar, 68 vjeç, i dyshuar për trafikimin e një sasie të madhe lënde narkotike.

Sipas autoriteteve greke, pas shfrytëzimit të informacionit operacional dhe në kuadër të masave për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës, policia lokalizoi mëngjesin e djeshëm automjetin që drejtohej nga 68-vjeçari në një zonë të Follorinës.

Gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dy çanta udhëtimi dhe një thes, brenda të cilëve ndodheshin 50 pako me marijuanë, me një peshë totale bruto prej 55 kilogramë e 422 gramë. Gjithashtu, policia sekuestroi edhe tre telefona celularë, të cilët do t’i shërbejnë hetimeve.

Kohët e fundit është konstatuar një riaktivizim i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Gjatë 11 muajve të fundit, policia greke ka sekuestruar mbi 1.2 ton marijuanë në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Follorinës dhe Selanikut.

Rastet më të shumta lidhen me linjën e trafikut Sarandë–Igumenicë, nga e cila dyshohet se është transportuar pothuajse gjysma e sasisë së drogës së sekuestruar në këto zona. Në një prej rasteve më të bujshme, autoritetet greke kanë bllokuar në Igumenicë edhe një skaf të ngarkuar me lëndë narkotike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›