Kapet në Emiratet e Bashkuara Arabe 57-vjeçari, ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme për trafik droge

Një 57-vjeçar është arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
57- vjeçari i identifikuar si Nexhmedin Danaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin prill 2026, i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas policisë, nga hetimet rezulton se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, dyshohet se ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Ai akuzohet gjithashtu se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për të kryer pagesa të konsiderueshme në disa shtete për blerjen e lëndëve narkotike.
Ndërkaq, vijon bashkëpunimi mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabi vijon për finalizimin e procedurave të ekstradimit të 57-vjeçarit në Shqipëri.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet, në bashkëpunim me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe, një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve të Interpol Abu Dhabit, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, është arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi N. D., 57 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin prill 2026, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet dyshohet se 57-vjeçari, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, ka bashkëfinancuar, mundësuar dhe koordinuar trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, shtetasi N. D. akuzohet se ka përdorur metoda të sofistikuara financiare, përfshirë transferta digjitale, për kryerjen e pagesave të konsiderueshme, në disa shtete, për blerjen e lëndëve narkotike.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit për finalizimin e procedurave për ekstradimin e 57-vjeçarit në Shqipëri.
/rtsh.al/