E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapital politik nga ish- mbreti

BBC

Eshtrat e Mbretit Zog, ish- monarkut të Shqipërisë, janë duke u kthyer nga Franca pas më shumë se 50 vitesh nga vdekja e tij.

Ato po dërgohen në vendin e vogël ballkanik pasi janë zhvarrosur në varrezën Thiais në jug të Parisit, bën të ditur rrjeti francez RFI.

Rreth 100 njerëz raportohet se morën pjesë në ceremoni.

Kritikët e akuzojnë qeverinë e Shqipërisë se po mundohet të bëjë kapital politik nga ish- mbreti.

Eshtrat e tij do të ekspozohen në kryeqytetin Tiranë, përpara se të vendosen në një mauzoleum të ndërtuar rishtas për familjen mbretërore.

Shqipëria aktualisht po feston 100 vjetorin e Pavarësisë nga Perandoria Otomane.

Mbreti Zog, emri origjinal i të cilit ishte Ahmet Muhtar Bej Zogolli, e shpalli veten monark në vitin 1928, por u arratis në vitin 1939 kur diktatori italian Benito Mussolini dhe trupat e tij pushtuan Shqipërinë.

Në mërgim, ai jetoi për vite të tëra në Angli, më pas në Egjipt, përpara se të vendosej në Francë, ku vdiq në vitin 1961.

Djali i tij i vetëm, Princi i Kurorës, vdiq vitin e shkuar pasi dështoi në përpjekjet e tij për të rikthyer monarkinë në Shqipëri.

Nipi i tij, Princi Leka, aktualisht shërben si këshilltar politik për presidentin shqiptar, Bujar Nishani.

*Titulli është redaksional. Titulli i origjinalit të BBC: Eshtrat e Mbretit Zog kthehen nga Franca në Shqipëri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›