Karakaçi: 80 milionë euro grant nga Franca për rehabilitimin e ujësjellës kanalizimeve në Durrës

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Projekti për rehabilitimin e ujësjellës kanalizimeve dhe trajtimin e ujërave të ndotura në Durrës do të mbështetet me 80 milionë euro grant nga qeveria e Francës, në kuadër të Planit të Rritjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor, të financuar nga BE.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur pas mbledhjes së qeverisë se granti sigurohet nga Bashkimi Europian nëpërmjet Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, projekti në tërësi ka një vlerë prej 118 milionë eurosh dhe përfshin rehabilitimin e sistemit të ujësjellësit, sistemit të kanalizimeve dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës.
Karakaçi theksoi se financimi është pjesë e mbështetjes që procesi i integrimit europian i jep Shqipërisë për realizimin e investimeve në infrastrukturën publike.
“Në finale, i gjithë procesi i integrimit europian është me shumë investime dhe grante për zbatimin e investimeve në vepra publike”, u shpreh ministri, teksa e cilësoi këtë një investimin të rëndësishën në sistemin e infrastrukturës së vendit.
Gjithashtu sot në mbledhjen e qeverisë u miratua dhe zgjerimi i sistemit të ujësjellës-kanalizimeve dhe i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, në zonat Porto Romano, Shkozet dhe Spitallë, i cili do të mbështetet me një grant prej 50 milionë eurosh nga Bashkimi Europian.
Sipas Karakaçit, edhe ky projekt do të financohet në kuadër të Programit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, me një grant prej 50 milionë eurosh.
“Ky grant mundëson finalizimin e zgjerimit të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve dhe të impiantit të ujërave të ndotura përtej qytetit të Durrësit, në këto tre zona, Porto Romano, Shkozet dhe Spitallë”, deklaroi Karakaçi për mediet.
Në mbledhjen e Komitetit të Investimeve Strategjike, sipas ministrit, u miratuan gjithashtu dy projekte të tjera të rëndësishme në fushën e infrastrukturës dhe eficencës së energjisë.
Një prej tyre është projekti për përmirësimin e sistemit të ujësjellësit në Bashkinë Tiranë, që parashikon ndërtimin e rreth 40 kilometrave rrjet me tubacione të reja, rehabilitimin e 10 kilometrave tubacione ekzistuese, si dhe instalimin e sistemeve inteligjente të matjes.
“Jemi në bashkëfinancim me Bankën Europiane të Investimeve dhe vlera e projektit është 80 milionë euro, ku edhe aty presim të marrim 50% të financimit grant nga BE”, tha Karakaçi.
Sipas tij, projekti tjetër lidhet me rritjen e eficencës së energjisë në 50 shkolla publike. Investimi parashikon rehabilitimin e shkollave dhe instalimin e paneleve diellore, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Ky është një projekt që e kemi me BERZH dhe ka një vlerë 22 milionë euro”, deklaroi ministri.
/e.xh/a.f/r.e/