Karakaçi: Ndërtimi i bajpasit të Elbasanit ka nisur, projekt strategjik prej 240 milionë eurosh

TIRANË, 17 shtator/ATSH-Maela Marini/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi informoi sot në Kuvend se puna për bajpasin e Elbasanit ka nisur dhe paralelisht po punohet për sigurimin e financimit për realizimin e plotë të veprës.
Në interpelancën e kërkuar në Kuvend nga deputeti i PD-së, Blendi Himçi, ministri Karakaçi theksoi se bajpasi i Elbasanit është një projekt kompleks infrastrukturor i cili kërkon jo vetëm vullnet politik, por edhe një përgatitje të plotë teknike dhe burime financiare.
Karakaçi vlerësoi se ky është një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe cilësinë e jetesës së qytetarëve
“Bajpasi i Elbasanit do ndajë trafikun tranzit nga ai urban duke lehtësuar ndjeshëm qarkullimin dhe duke reduktuar kohën e udhëtimit dhe ulur kostot e transportit. Njëkohësisht do të rrisë dhe sigurinë rrugore dhe do të përmirësojë lidhjen e Elbasanit me Korridorin 8 dhe rrjetin kombëtar të transportit, duke krijuar kushtet më të favorshme për zhvillimin e zonave përreth”, u shpreh Karakaçi.
Ministri informoi se projekti kap një vlerë prej 240 milionë euro dhe mbështetet nga buxheti i shtetit, por edhe me financime të huaja.
Karakaçi informoi se “gjatë kësaj periudhe është punuar për të siguruar mbështetje të partnerëve financiarë ndërkombëtarë duke garantuar njëkohësisht standardet më të mira të projektimit dhe zbatimit”.
“Ndërkohë që vijojmë punën për sigurimin e financimit të plotë prej 240 milionë eurosh. Ne e kuptojmë shumë qartë problematikën e madhe që u është shkaktuar gjithë qytetarëve nga krijimi i hinkës të përfundimit të autostradës Tiranë-Elbasan. Ne e kemi nisur punën në terren aktualisht për fazën e parë të Lotit 1 me vlerë 90 milionë euro dhe ndërkohë që po vijohet edhe për fazën e dytë”, tha ministri.
Ndërkohë, sipas tij, faza e tretë e Lotit 1 është e buxhetuar në vitin 2027. “Në muajin tetor do të fillojë puna menjëherë me të trija fazat e Lotit 1, duke i dhënë zgjidhje trafikut”, tha Karakaçi, ndërsa theksoi se ARRSH po zbaton alternativa të përkohshme për lehtësimin e trafikut ekzistues.
Ministri informoi se normalisht në aksin Tiranë-Elbasan qarkullojnë mesatarisht rreth 25 mijë mjete në ditë, ndërsa në periudha me fluks të shtuar ky numër arrin deri në 33 mijë mjete.
Karakaçi theksoi po ashtu se bajpasi i Elbasanit është një investim strategjik për zhvillimin ekonomik të qarkut.
“Ai do të përmirësojë lidhjen me Korridorin 8 dhe rrjetin kombëtar të infrastrukturës, do të lehtësojë lëvizjen e mjeteve, njerëzve dhe mallrave si dhe do të rrisë aksesin drejt zonave ekonomike dhe industriale duke krijuar kushte më të mira për investim dhe zhvillim”, shtoi ai.
Projekti sipas tij, është konsultuar me të gjitha bashkitë përkatëse. “Vonesat nuk kanë qenë pjesë e mungesës së vullnetit për ta realizuar, por e nevojës për të ndërtuar një projekt të plotë, të financueshëm dhe të zbatueshëm sipas standardeve të kërkuara. Angazhimi ynë mbetet i qartë të çojmë para këtë vepër me përgjegjësi, transparencë dhe në interes të qytetarëve duke garantuar që të jetë një zgjidhje afatgjatë për trafikun dhe një nxitje e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonës”, tha ministri.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, foto: Andrin Hoxha 1 nga 2/j.p/r.e/