Karakaçi: Vetëm monitorim naftës. Ministri thotë se ende nuk janë kushtet për ngritjen e Bordit të Transparencës

Qeveria ende nuk e shikon të nevojshme, ngritjen e bordit të transparencës për çmimin e naftës. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së këshillit të ministrave u shpreh se ende po monitorojnë çmimet.
“Ky bord, siç u njoftua dhe dje, është aty dhe mund të krijohet me një vendim. Po e shohim problemin në dinamikë. Siç është mungesa në treg e hidrokarbureve, a ka apo jo. Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin. Pasi nafta vjen nga rrugë të tjera detare”, tha Karakaçi.
Sa i përket propozimeve konkrete të opozitës për uljen e akcizës dhe taksës së qarkullimit, ministri Karakaçi sqaroi se modeli që ndjek vendi ynë, prek vetëm ata që përdorin më shumë automjetet.
“Taksa e qarkullimit për të ulur 45 lekë, nënkupton që të jetë 45, nuk është 45 lekë. Taksa e qarkullimit është në të gjitha vendet e BE, disa e segmentojnë në pagesat e taksave të mjeteve, disa te qarkullimi. Ne kemi menduar që marrja e taksës te karburanti është mjeti më i mirë sepse paguajnë më shumë taksë ata që e përdorin më shumë mjetin. Për më tepër, ne jemi duke ndjekur dhe siç e kemi parë me të gjitha grupet e interesit të shoqërive hidrokarbure, po ndjekim tregun e karburanteve, çfarë po ndodh dhe në vendet e rajonit. Ne po ndjekim çmimet dhe vendosja e një çmimi tavan dhe ngritja e Bordit, janë aty, edhe mund të krijohet”, tha ministri.
Pas mbledhjes së këshillit të ministrave, Karakaçi bëri me dije se është miratuar dhe marrëveshja për ngritjen e një stacioni nëntokësor për furnizimin e kryeqytetit me energji elektrike.