E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet dhe cigaret “grijnë” qytetarët dhe furnizojne arkën e shtetit / 164,9 miliardë lekë në 8 muaj

Të ardhurat e mbledhura nga Doganat në tetë muajt e parë të vitit 2026 arritën në 164,9 miliardë lekë, rreth 6,8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i regjistruar për një periudhë tetëmujore. Rritja është mbështetur kryesisht te TVSH-ja në import dhe akciza, ku spikasin karburanti dhe cigaret.

TVSH-ja e mbledhur për mallrat e importuara solli rreth 4,4 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Mbi gjysmën e kësaj shtese e dha karburanti, me 2,5 miliardë lekë. Rritje pati edhe nga importi i veshjeve, me 673 milionë lekë më shumë, i cigareve me 462 milionë lekë, si dhe i kompjuterëve dhe printerëve me 304 milionë lekë.

Nga akciza u mblodhën rreth 2 miliardë lekë më shumë. Cigaret e importuara dhanë kontributin më të madh, me një shtesë prej 1,4 miliardë lekësh. Sipas Doganave, krahas të ardhurave është rritur me rreth 111 tonë edhe sasia e importuar dhe konsumi i cigareve. Karburanti i importuar solli 258 milionë lekë më shumë nga akciza, ndërsa rritje pati edhe nga produktet e tjera, me 66 milionë lekë, duhani i prodhuar në vend, me 41 milionë lekë, dhe birra e importuar, me 36 milionë lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›