Karçanaj: Asistenti Virtual e-Albania, 1 milion përgjigje

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI, Linda Karçanaj mori pjesë në panelin e tretë dhe përmbyllës “Shërbimet Publike me IA; Mundësitë dhe Kufizimet”, ku theksoi se “me një bazë ligjore të fortë për aplikimin e IA-së, Shqipëria synon të pozicionohet si lider rajonal në digjitalizim dhe transformim teknologji”.
Në këtë tryezë ishin të pranishëm edhe Genci Hamzaj, drejtues i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit të Kosovës, Adrian Kamenica, drejtor i përgjithshëm i Departamentit për Politikën dhe Integrimin Europian pranë Kryeministrisë, Jonaid Myzyri, drejtues i Komisionit të Prokurimit Publik dhe Enio Kaso, drejtor i Drejtorisë së Inteligjencës Artificiale pranë AKSHI-t, me moderimin e përfaqësuesit të Bankës Botërore, Simon Carl O’Meally.
“Me kolegët panelistë folëm mbi implementimin e Inteligjencës Artificiale në e-Gov dhe çfarë kemi arritur deri më tani: Administratë më efikase, shërbime më të avancuara. Projekti inovativ Asistenti Virtual e-Albania ka arritur një pikë të rëndësishme, me 1 milion pyetje të përgjigjura, dhe brenda pak ditësh do të marrë jetë edhe versioni 2.0 i tij, me komunikim zanor dhe vizual në gjuhën shqipe”, tha Karçanaj në një postim në rrjetet sociale.
Karçanaj tha se “Inteligjenca Artificiale po transformon sektorë të rëndësishëm si arsimi, financat integrimi në BE dhe prokurimi, duke sjellë përmirësime cilësore dhe mundësi të reja për qytetarët. /j.p/ 1 nga 5 /k.s/