E Hënë, 2 Nëntor 2026

Karoline Leavitt Sekretare e Shtypit e Shtëpisë se Bardhë, 27-vjeçarja do të jetë zëdhënësja më e re në historinë e SHBA

Donald Trump njoftoi se do të emërojë 27-vjeçaren Karoline Leavitt për të shërbyer si sekretare e shtypit e Shtëpisë së Bardhë në administratën e tij të ardhshme. Presidenti i zgjedhur tha se ishte i bindur se kandidatja e dikurshme për Kongresin, e cila shërbeu gjithashtu në zyrën e shtypit të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së parë të Trump,  do të bëjë një punë të shkëlqyer në podium.

“Ajo do të ndihmojë në përcjelljen e mesazhit tonë për popullin amerikan ndërsa ne e bëjmë Amerikën sërish  të Madhe”- deklaroi Trump. “Karoline është e zgjuar, e vendosur dhe ka dëshmuar të jetë një komunikuese shumë efektive”, – shtoi ai.

Karoline Leavitt filloi të punojë për Shtëpinë e Bardhë në administratën e parë të Trumpit menjëherë pas diplomimit në vitin 2019, fillimisht si shkrimtare presidenciale dhe më vonë si ndihmës sekretare shtypi.

Pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, Leavitt shërbeu si drejtoreshë e komunikimit për Elise Stefanik, një kongresmene e lartë republikane të cilën presidenti i zgjedhur Trump e ka emëruar si ambasadore të Kombeve të Bashkuara.

Leavitt u largua nga ai post për të kandiduar për Kongresin për republikanët në New Hampshire në vitin 2022, por humbi përaballë kandidatit demokrat në atë shtet. 27-vjeçarja pritet të  jetë Sekretarja më e re të shtypit e Shtëpisë së Bardhë në historinë e Shteteve të Bashkuara duke thyer rekordin e mbajtur nga Ron Ziegler. Në vitin 1969, kur ai ishte 29 vjeç, u emërua në të njëjtin post nga presidenti i 37-të i SHBA Richard Nixon.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›