E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kartoni jeshil për Maqedoninë e Veriut, polica e sigurimit 1-vjeçar bëhet 50 euro

Polica e sigurimit kufitar me Maqedoninë e Veriut prej datës 1 prill ka çmim të ri: 50 euro për 1 vit do të paguajnë të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët duan të udhëtojnë në drejtim të shtetit fqinj. 

Më herët ata paguanin një tarifë vjetore 340 euro për një vit, por me dallimin që kartoni jeshil ishte i vlefshëm për në të gjithë Europën, përfshirë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa polica e sigurimit tashmë e miratuar kundrejt vlerës 50 euro është e vlefshme vetëm për Maqedoninë.

Përfituesit më të shumtë të vlerës së re janë kryesisht banorët e bashkive Korçë, Pogradec, Prrenjas dhe Librazhd, të cilët janë frekuentues të shumtë të Ohrit dhe Strugës, për qëllime tregtare e turistike. 

Kalimtarët shprehen të kënaqur me tarifën e re të kartonit jeshil dhe theksojnë se tani mund të kalojnë më shpesh me mjetet e tyre në drejtim të Maqedonisë së Veriut. 

Më herët, policat kufitare me çmime të ulëta realizoheshin vetëm me Malin e Zi dhe Kosovën, ndërsa prej 1 prillit, është shtuar dhe Maqedonia e Veriut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›