Katastrofë në Afganistan, të paktën 800 viktima dhe 2,800 të plagosur/ Talebani kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve

Një nga tërmetet më të rënda që ka goditur Afganistanin ka shkaktuar vdekjen e mbi 800 personave dhe ka lënduar të paktën 2,800 të tjerë, njoftuan autoritetet, ndërsa ekipet e shpëtimit po përballen me vështirësi për të arritur në zonat më të largëta për shkak të terrenit malor dhe kushteve të këqija të motit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Kabul, Sharafat Zaman, i bëri thirrje ndërkombëtarëve për ndihmë, duke theksuar se shumë njerëz kanë humbur jetën dhe shtëpitë e tyre.
Tërmeti, me magnitudë 6, ndodhi rreth mesnatës, në një thellësi prej 10 km dhe goditi kryesisht provincat lindore të Kunar dhe Nangarhar. Sipas zëdhënësit të administratës talebane, Zabihullah Mujahid, deri tani janë regjistruar 812 viktima.
Ekipet e shpëtimit po luftojnë për të arritur në zonat malore, të cilat janë të izoluar dhe nuk kanë lidhje me rrjetet celulare. Shtëpitë e ndërtuara me baltë janë shembur dhe situata është përkeqësuar edhe më shumë nga shi i rëndë dhe mundësia e rrëshqitjeve të dheut.
Kate Carey, një përfaqësuese e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (UNOCHA), theksoi se rreziku i përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut është i madh, duke bërë që shumë rrugë të jenë të pakalueshme.
Ekipet e shpëtimit janë gjithashtu duke u përpjekur të heqin trupat e kafshëve të ngordhura, për të parandaluar ndotjen e burimeve të ujit dhe për të minimizuar rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.
Talibani ka kërkuar me urgjencë ndihmën ndërkombëtare për të përballuar këtë katastrofë, që ka lënë pas një shkatërrim të madh dhe shumë viktima. / abcnews.al /