Kategoria e Parë: Burreli, fitore dhe vendi i parë

Një autogol dhe tre gola të shënuar në portën e kundërshtarit, gjithçka në ekranin e RTSH Sport. Burreli nuk fal, fitore 3-1 në transfertën me Partizanin B, duke rrëmbyer në të njëjtën kohë dhe vendin e parë në klasifikim në Grupin A.
Të besuarit e trajnerit Samuel Nikaj, në sfidën e radhës në Kategorinë e Parë, kanë arritur të gjejnë avantazhin pas 12 minutahs lojë me anë të Stana. 20 minuta më vonë të kuqtë ndërlikojnë akoma më shumë situatën pasi Osmanllari ndëshkohet me karton të kuq.
Pavarësisht volumit të lojës dhe rasteve të krijuara, Burreli golin e dytë e shënoi në pjesën e dytë dhe pikërisht në minutën e 64-ët me anë të Danaj. Por tre minuta më vonë matjanët shënuan në portën e tyre, një autogol nga Hasa, duke dhënë përshtypjen e një sfide të hapur.
Por ky hamendësim nuk ka zgjatur më shumë se tre minuta, pasi Raboshta ka shënuar golin e sigurisë, duke sigluar 3-1 në një sfidë që përveç fitores i ka dhuruar skuadrës matjane dhe vendin e parë në klasifikim në kuotën e 25 pikëve, dy më shumë se skuadra e vendit të dytë, Dinamo.
PARTIZANI B-BURRELI 1-3
Golat: Hasa 67′(aut.) / Stana 12′, Danaj 64′, Raboshta 70′