Katër ish-ministra të Jashtëm pas 90, agjentë të Sigurimit

Luan Pobrati
Flet Luan Pobrati, specialist i shërbimeve sekrete
Ju rrëfej si Berisha e Nano goditën shërbimet sekrete shqiptare për interesa të ngushta
Kim Filbi nuk pati rol në asgjësimin e bandave
Dështimet dhe fatkeqësitë Shqipërisë nuk i kanë ardhur nga shërbimet e fshehta, por nga politika dhe mënyra si kjo i fundit i ka përdorur ato.
Ky ishte mesazhi qendror i pohimit të Luan Pobratit, njërit ndër specialistët më në zë të shërbimeve sekrete gjatë një interviste për emisionin Arena në TV Planet. Duke sjellë një retrospektivë të zgjeruar të policisë sekrete në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, ai ndriçoi mjaft nga momentet e rëndësishme të historisë së këtij shërbimi, por zbardhi edhe një sërë enigmash për ngjarje e fakte të përfolura në vite…
Zoti Pobrati, në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, çdo të thotë edhe 100 vjet shërbim sekret?
Historia e shërbimit sekret shqiptar në këtë 100-vjetor përmban në vetvete historinë e vetë shtetit shqiptar. Shërbimi sekret, mbart ngritjet dhe uljet e veta, të mirat dhe të këqijat e tij. Në këtë kuptim, historia e shërbimit sekret është e mbushur plot ngjarje, të cilat nuk kanë se si të mos kenë lënë gjurmë në historinë 100-vjeçare të shtetit shqiptar.
Në këtë kontekst që përmendët, a mund të tregoni se cili është momenti më i rëndësishëm i shërbimeve sekrete, por edhe më i dobëti?
Në fillim të viteve 50, shërbimet sekrete u vunë përballë një situate mjaft delikate. Dhe e vërteta është se ato e kryen dhe e përballuan me sukses detyrën, duke bërë të mundur të dështonte tentativa e organizimit të një kryengritjeje të armatosur dhe vendosjen e një regjimi të ngjashëm me një juntë në Shqipëri; pra rrëzimin me dhunë të pushtetit të pasluftës. Tashmë që arkivat janë të hapura, është folur dhe shkruar për këto operacione. Shërbimi sekret shqiptar jo vetëm shmangu kryengritjen e armatosur që do të organizonin të huajt, ndryshe zbulimi anglo-amerikan, por triumfuan mbi to. Kuptohet, beteja do të bëhej mes shqiptareve, por lufta brenda tyre do të dirigjohej nga të huaj dhe jo vetëm kaq: tragjikët do të ishim ne, pasi gjaku do të derdhej mes nesh. Radiolojat e famshme të Sigurimit të Shtetit, si Buza e Bredhit, Liqeni i Vajkalit, Fronti i Rezistencës, bënë të mundur shmangien, dështimin e kësaj kryengritjeje, kapjen gjallë dhe asgjësimin e emisarëve që zbulimet e huaja dërguan në Shqipëri, dhe në këtë kuadër kjo nuk konsiderohet vetëm nga ne si sukses i organeve të shërbimeve sekrete shqiptare, por edhe vetë emisarët e shërbimeve anglo-amerikane të kohës për të cilën flasim e kanë pranuar dështimin, ku vlen të përmendet reagimi i ish-kryeministrit anglez Toni Bler, i cili ndërsa fliste për ngjarjet në Irak, theksoi se është rasti i dytë që shërbimet anglo-amerikane dështonin, pasi si rasti i parë njihet ai në Shqipëri.
Kush ishin heronjtë e kësaj super fitoreje?
Heronjtë ishin këta idealistë që folëm, ata që ditën të qëndronin dhe fituan edhe këtë luftë.
Mund të na përmendi ndonjë emër.
Pal Mëlyshi…
Përse pikërisht ky njeri? Kemi dëgjuar shumë histori për këtë person.
Pal Mëlyshi është një legjendë e gjallë. Ai është bërë i njohur, por gjithsesi, ka pasur përpjekje për ta errësuar. Pal Mëlyshi jo vetëm që ishte një nga pjesëmarrësit e LANÇ-it, por pas çlirimit të vendit ai mori përsipër angazhime të mëdha, sakrifica sublime dhe gjithë historia e tij pas kalimit në arrati është një histori që përmban mbi vete jo vetëm legjendën që lidhet me emrin e Pal Mëlyshit, por edhe mprehtësinë, zgjuarsinë, thjeshtësinë dhe vetëmohimin. Me njerëz të tillë, ajo luftë do të fitohej. Lidhur me çka thatë për Kim Filbin, e vërteta është ndryshe dhe është keq që ka shqiptarë që nuk duan ta pranojnë të vërtetën. Bota, edhe kur se ka këtë privilegj, e sajon. Ai nuk ka rol në këto fitore, luftë të shërbimit sekret shqiptar, për një fakt të thjeshtë. Anglezët e tërhoqën Kim Filbin nga SHBA në Londër më 1949-n, vit kur ai shërbente në Ambasadën Angleze në Amerikë, sepse zbulimi i vendit të vet dyshoi për të se mos vallë ishte vënë në shërbim të rusëve, ashtu siç rezultoi në të vërtetë. Ndërsa operacionet që ne bëjmë fjalë filluan në vitin 1950, pra një vit më vonë se koha kur ai ishte larguar nga ato letra që mbaheshin brenda në kasaforta e ku përshkruhej strategjia e rrëzimit të pushtetit në Shqipëri. Ky është fakti më bindes që vërteton se Kim Filbi nuk kishte si të dinte e nga të merrte vesh për këto operacione. Por le të marrim të anasjellën. Nuk ishte as në interes të Moskës të digjte Kin Filbin, agjentin potencial të saj, për një vend të vogël si Shqipëria. Duhet të kemi parasysh se në vitin 1949, BRSS nuk kishte ato lidhje me Shqipërinë që u krijuan më vonë. Sot, kur arkivat janë hapur, ne njohim edhe çka Stalini i ka thënë Titos: Shqipërinë gëlltiteni, merreni ju. Ky ishte në kohë qëndrimi i Rusisë ndaj këtij vendi të vogël, paçka si rrodhën ngjarjet më vonë, e duke qenë këto të vërteta, nuk mund të besojmë që sovjetikët, nga një anë të silleshin kështu me Shqipërinë dhe, nga ana tjetër, të digjnin për të një agjent potencial siç ishte Kim Filbi.
Ju folët për njerëz idealistë që ishin pjesë e shërbimit sekret shqiptar, megjithatë jo të gjithë e kujtojnë kështu duke përmendur këtu rreth pesë mijë të vrarë dhe qindra mijëra të tjerë të internuar. Shumë shqiptarë kanë vajtuar nga këto duke bërë për autor shërbimin sekret shqiptar dhe kjo është pjesë e zezë e shërbimit sekret të asaj periudhe.
Përsa i përket gjithë çka ndodhur në historinë 50-vjeçare të sistemit komunist, brenda një lufte të madhe klasore, betejave të ashpra midis nesh dhe armikut, duhet të gjithë të pranojmë se ka pasur tejkalime. Pra ka pasur burgime, internime dhe pushkatime, herë-herë të padrejta dhe jo të mbështetura në ligj. Herë-herë ngjarjet kanë kaluar çdo cak, ku vlen të përmend të pushkatuarit e bombës në Ambasadën Ruse. Në historinë e Sigurimit të Shtetit, për mua kjo është nga ngjarjet më të rënda, ashtu si kundër në historinë e shërbimit informativ, kur në Shqipëri u shpall gjendja e jashtëzakonshme, vendosja më 1997-n e Bashkim Gazidedes në krye të Forcave të Armatosura, përbënte për vendin një rrezik imediat.
Kur folët për tejkalime, ju e përcaktuat me terma të zbutur. Përse nuk thoni se ai shërbim sekret ka kryer edhe krime?
Ju e vini theksin në disa gjëra që unë nuk i mohoj, duke përmendur disa ngjarje që i presupozoj si ju. Por 100 vitet e shërbimit informativ janë si 100 vitet e shtetit shqiptar dhe në këto kohë, të cilësosh se punonjësit e shërbimeve sekrete duhet ta reflektojnë, kjo është absolutisht e drejtë. Brezi i punonjësve të Sigurimi që ka qenë pjesë e tejkalimeve që flasim, nuk jeton më. Për ta nuk mund të paguajë ai brez që kur erdhi demokracia kishte një stazh fare të shkurtër në shërbimin sekret, siç është brezi im.
A mund të na thoni si e keni përjetuar ju personalisht ndryshimin e pushteteve nga ai komunist në atë pluralist pas vitit 90?
Unë nuk jam këtu si një nga më të mirët e shokëve të mi, por kam qenë prezent në median shqiptare për të thënë çka ndodhur në të shkuarën, duke e vënë theksin në gabimet që shfaqeshin në veprimtarinë e shërbimeve inteligjente të pas 92-shit e këtej, për të thyer frikën, dhe kjo më ka dalluar. Nuk kam pasur funksione të larta në Sigurimin e Shtetit dhe këto nuk më bënin të dallueshëm. Detyra ime më e lartë ka qenë ajo e kryeinspektorit të kryeministrit në Shërbimin Informativ, ndërsa para 90-s kam punuar në strukturat ilegale të S