E Diel, 1 Nëntor 2026

Katërputroshat “pushtojnë” liqenin, maratonë në mbështetje të kafshëve të pastreha

TIRANË, 19 prill /ATSH- Arbi Fortuzi/Qindra të rinj me katërputroshat e tyre u mblodhën këtë të diel në parkun e Liqenit Artificial për të marrë pjesë në “Maratonën e miqve me katër këmbë”. Maratona, e ideuar si një aktivitet social për të bashkuar kafshëdashësit, mbante edhe një mision fisnik: ndihmën ndaj kafshëve të pastreha.

Endri Çela, organizator dhe drejtues i “Tirana Running club”, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se të ardhurat e mbledhura nga eventi do të shkojnë për strehat e kafshëve që nuk kanë familje, si dhe për ushqimin e kafshëve të pastreha.

“Është një nismë e organizuar me shumë pasion. Një përpjekje për të ndihmuar miqtë tanë më besnikë, të cilët janë pa familje dhe ndodhen ose në mes të katër rrugëve, ose në strehat e ngritura vullnetarisht”, tha ai.

“Të gjithë pjesëmarrësit e regjistruar kanë dhënë një shumë parash, e cila do të jetë një fond që do të shkojë pikërisht për këtë komunitet ‘banorësh’ të kryeqytetit”, shtoi Ccela.

Ai theksoi se pjesëmarrës në aktivitet janë edhe turistë të huaj, të cilët janë gjendur rastësisht në zonë, apo janë informuar përmes rrjeteve sociale, si dhe të huaj rezidentë në Shqipëri.

“Është mjaft interesante që pjesë e aktivitetit janë edhe shumë të huaj; një pjesë turistë kuriozë që i janë bashkuar nismës, ndërsa një pjesë tjetër janë rezidentë në Shqipëri, që jetojnë dhe punojnë këtu dhe janë njohur me eventin nga rrjetet sociale”, vijoi ai.

Gara u zhvillua në zonën e parkut të Liqenit Artificial në Tiranë, zgjati 3 kilometra dhe bashkoi qindra kafshëdashës me miqtë e tyre me katër këmbë. Aktiviteti, përveç pjesës së maratonës, u mundësoi të pranishmëve edhe një piknik në natyrë me pije, muzikë dhe të ftuar, duke u dhënë mundësinë të kalojnë një të diel të bukur buzë liqenit.

Maratona me qenushat, foto: Florian Abazaj 1 nga 17

/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›