E Diel, 1 Nëntor 2026

Kazia: Shqipëria kontribuon në harmonizimin e standardeve të sigurisë kibernetike

TIRANË, 19 shtator /ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, përfaqësoi Shqipërinë në GISEC Global 2026 në Dubai, në panelin ndërkombëtar “Harmonizing Skills Frameworks Across Countries”, kushtuar harmonizimit të standardeve dhe aftësive profesionale në sigurinë kibernetike.

Në diskutimin me përfaqësues të International Coalition on Cyber Security Workforces (ICCSW) nga vende të ndryshme, Kazia theksoi se ndërtimi i kapaciteteve njerëzore duhet të mbështetet në një bërthamë të qëndrueshme rolesh dhe funksionesh, por njëkohësisht të jetë mjaftueshëm fleksibël për t’iu përshtatur zhvillimeve të shpejta teknologjike.

Ai solli qasjen e Shqipërisë për harmonizimin me kuadrot evropiane dhe nënvizoi rëndësinë që kompetencat të përcaktohen mbi bazën e detyrave dhe rezultateve që profesionistët duhet të arrijnë, dhe jo vetëm mbi titujt e pozicioneve. Përvoja e Shqipërisë pas sulmeve kibernetike të vitit 2022 tregoi se, në momente krize, vendimtare janë aftësitë për të reaguar, koordinuar dhe rikthyer funksionimin e sistemeve.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua edhe ndikimit të inteligjencës artificiale në tregun e punës dhe zhvillimin profesional. Kazia theksoi nevojën për të ruajtur rrugët e hyrjes dhe të zhvillimit të profesionistëve të rinj në sigurinë kibernetike, ndërsa propozoi fokus në tri kompetenca të përbashkëta: përdorimin e sigurt të AI-së, sigurimin e sistemeve të AI-së dhe qeverisjen e përgjegjshme të saj. “Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në marrjen e vendimit, por përgjegjësia duhet të mbetet gjithmonë tek njeriu.”- u shpreh ai.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë panel vjen në kuadër të angazhimit të saj në ICCSW, ku vendi kontribuon në zhvillimin e një terminologjie të përbashkët, standardeve profesionale dhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes kuadrove kombëtare të fuqisë punëtore në sigurinë kibernetike.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›