E Diel, 1 Nëntor 2026

Kedhi: Konsultimet për Reformën Territoriale për të dëgjuar qytetarët, jo për të imponuar vendime

TIRANË, 13 gusht/ATSH/ Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi u shpreh sot se  konsultimi për reformën territoriale nuk bëhet për të bindur qytetarin për një vendim të marrë më parë, por bëhet që mendimi i qytetarit të ndikojë te vendimi.

Në një deklaratë për medie, Kedhi komentoi takimin e djeshëm në Kuç, të kryeministrit Edi Rama me të zgjedhur vendorë, për hartën e re territoriale.

Kedhi kujtoi se Kushtetuta e Shqipërisë përcakton se kufijtë e njësive të qeverisjes vendore nuk mund të ndryshohen pa u marrë më parë mendimi i popullsisë që banon në to.

“Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore kërkon konsultimin paraprak të komuniteteve për ndryshimin e kufijve dhe konsultimin e autoriteteve vendore, në kohën e duhur, për çështjet që i prekin drejtpërdrejt”, shtoi ai.

Sipas tij, “Partia Demokratike ka një koncept krejt tjetër për pushtetin vendor”.

“Ne besojmë te decentralizimi i kompetencave dhe financiar, jo te përqendrimi i pushtetit; te bashkitë dhe shërbimet pranë qytetarit, jo te bashkitë gjigante larg tij; te komuniteti që vendos për veten dhe ruan identitetin e vet, jo te Kryeministri që vendos për çdo komunitet. Këto parime ndajnë dhe qytetarët kudo në Shqipëri. Ndaj sot vendi është ngritur në protestë”, tha ai.

/m.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›