E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këmbanat s’dëgjohen kur këmbana s’ka

Tani, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve prezantoi deri në fund për të dytën herë një panoramë të shëmtuar të administrimit të procesit elektoral të fundit, me plot gojën mund të thuhet që në këtë vend qeverisja bie viktimë e qeverisjes. Ky pohim nuk ka të bëjë vetëm me objektivin e këtij procesi, pra për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, por edhe për procesin e ardhshëm, edhe për zgjedhjet parlamentare, nga të cilat mandatohet qeverisja qendrore. Sepse, një pushtet që ushtron haptazi dhe në vazhdimësi ndikim antikushtetues mbi institucionet e pavarura të shtetit, nuk mund t’i hapë rrugën zhvillimit të demokracisë efektive politike dhe epërsisë së shtetit të së drejtës.
Prandaj, nuk mund të mos vlerësohej realisht dhe objektivisht mbarëvajtja e zgjedhjeve të 8 majit, veç të tjerash, si një test për zgjidhjen e krizës të tejzgjatur në Shqipëri, që nga mosbërja transparente e votimeve të vitit 2009. Por, ashtu siç janë përvijuar me profile kritike edhe fazat e numërimit dhe ankimimit të procesit të tashëm, vështirë të konsiderohen të vlefshme veçanërisht rezultatet përfundimtare për shpalljen e kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit, dhe të arritura përgjithësisht të tëra standardet ndërkombëtare. Kështu, nuk ka se si të mos theksohet më së shumti përgjegjësia e Qeverisë për zgjatjen përherë e më tepër të rrugës së integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Kjo përgjegjësi lidhet drejtpërdrejt me mosplotësimin e së paku 12 prioriteteve të kriterit politik, të kërkuara vitin e kaluar nga Brukseli, në krye të të cilave qëndronte zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Me sa deklarohet prej andej, përmbushja e këtyre prioriteteve dhe e disa të tjerave që pritet t’i shtohen në tetor listës së të parave, do të vazhdojë të kërkohet si kusht sine qua non për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat për anëtarësimin në BE. Sidoqoftë, formulimi i një përcaktimi të tillë në krye të përmbushjes së formatimit të kërkuar, kurrsesi nuk mund të justifikohet si një rastësi apo koincidencë me kohën kur e bënte të afërt datën e dekretuar nga Presidenti i Republikës për mbajtjen e zgjedhjeve të qeverisjes vendore. Jo.
Qysh rreth 60 vjet më parë, kur u hartua, u miratua dhe hyri në fuqi Protokolli Nr.1 i Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, përmbajtja e Nenit 3 të tij është vlerësuar vijimësisht si dispozita e vetme materiale e Konventës që nuk përbën një të drejtë ose liri dhe që kërkon abstenim nga Shteti – Palë kontraktues i këtij traktati ndërkombëtar. Përkundrazi, kjo dispozitë parashtron qartë një detyrim pozitiv për Shtetin, duke u deklaruar nga organet e Konventës qysh më 1970, gjatë shqyrtimit të së ashtuquajturës ‘çështja greke’, se: “ekzistenca e një legjislature përfaqësuese, e zgjedhur në intervale të arsyeshme, është baza e një shoqërie demokratike”, pra ruan një tipar të demokracisë. Në këtë drejtim, hapësira e vlerësimit të Shtetit, kur ushtrohet sipas gjendjes së caktuar të evolucionit politik të vendit, aleatëve ndërkombëtarë u lë hapësirë arsyetimi të gjykojnë nëse kushtet në të cilat zhvillohen zgjedhjet cenojnë ose jo thelbin e të drejtave të mbrojtura.
Në këtë kuadër, të gjitha vlerësimet kundrohen nga plani i shtetit të së drejtës, i cili është një nga tre kriteret kryesore që përmban Karta e Kopenhagenit, nga përjetësimi i së cilës varet perspektiva e asociimit të çdo vendi aplikant në familjen e bashkuar Europiane. Dhe, me shtet të së drejtës nuk kihet parasysh një formulë fluide, e turbullt dhe e ndryshueshme nga njëri vend te tjetri, nga njëra situatë në tjetrën. Përkundrazi, ai konsiderohet si mjeti, me anë të të cilit sistemi i vlerave demokratike depërton me mekanizmat juridikë. Në bazë të këtij konceptimi u hodhën nga institucionet e Bashkimit Europian, të Këshillit të Europës, OSBE/ODIHR-it dhe aleatëve të tjerë të Shqipërisë pikëpyetje të mëdha për mënyrën e ndryshimit të rregullave të lojës, pasi përfundoi numërimi në Tiranë dhe doli në dritë të diellit rezultati në favor të shefit të opozitës, ashtu sikurse fitorja në këto zgjedhje të fundit në pjesën më të madhe territorialo–administrative të vendit iu atribuua përfaqësuesve të kësaj force politike dhe koalicionit që drejtohet prej saj.
Në fund të fundit, të gjitha pikëpyetjet e hedhura kanë në thelb dyshimet për përdorimin e një kuadri ligjor të paqartë dhe krijimin e novacioneve të befta, duke flakur brenda një dite tërë rregullat dhe praktikat ekzistuese. Për shembull, asnjë ligj nuk e autorizon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të urdhërojë vlerësimin dhe numërimin e fletëve të votimit në kutitë jopërkatëse, asnjë dispozitë ligjore nuk justifikon konsiderimin si të vlefshme të fletëve të votimit të nxjerra nga kuti të shqyera, asnjë praktikë e mëparshme nuk injoron marrjen e masave sa më të mira të karakterit tekniko–organizativ, asnjë legjislacion demokratik nuk legalizon injorimin e diferencave të vërejtura midis numrit të fletë të hedhura dhe atij të votuesve, asnjë hapësirë interpretimi nuk mund të ndikojë për t’i konsideruar zgjedhjet të vlefshme kur diferencat midis numrit të fletëve dhe atij të votuesve tejkalojnë ndjeshëm diferencën e rezultatit midis dy kandidatëve. Por, ja që u veprua në drejtim të kundërt.
Ndërkohë, ashtu siç është shpjeguar qartësisht nga ekspertë të fushës, edhe sikur vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, veçanërisht në rastin e Tiranës, të mbështeteshin në ligj, meqë ato përmbanin rregulla të reja që i shërbenin demek numërimit më të plotë të votave të qytetarëve, atëherë votimi i tyre domosdoshmërisht duhej bërë me shumicë të cilësuar, pra me jo më pak se vota “pro”. Ndryshe, siç është vepruar me vetëm 4 vota “pro”, këto vendime mbeten të pavlefshme. Mirëpo, me sa kuptohet, nëse me gjendjen e krijuar pas vendimit të fundit të KQZ–së, Kolegji Zgjedhor nuk ‘autorizon’ përsëritjen e votimit për Bashkinë e kryeqytetit, pavarësisht që kryeministri na deklaron se ua paska mbushur mendjen në Bruksel përfaqësuesve të Partive Popullore Europiane që Shqipërisë blu iu shtua edhe Tirana blu, kriza shqiptare e tejzgjatur, me shumë gjasa, jo vetëm që nuk do të ndërpritet, por do të vazhdojë më me vrik dhe do të thellohet në përmasa dramatike, çka do ta lërë vendin tonë edhe për shumë kohë jashtë dyerve të Europës.
Që këtej shtrohet edhe pyetja: a do të marrë vlerë reale zbatimi i porosisë së ndërkombëtarëve, sipas së cilës, forcat politike kryesore t’i kthehen dialogut politik, për t’u bërë i mundur gradualisht realizimi i reformave të kërkuara, që lidhen ngushtësisht me përmbajtjen e asaj liste të gjatë të prioriteteve, përmbushja e të cilave heq pengesat në rrugën e integrimit europian? Së paku deri tani, nga radhët e opozitës po shtohen zërat, sipas të cilave, grupi parlamentar i Partisë Socialiste do ta kalojë në shtator pragun e Kuvendit të Shqipërisë, për t’iu rikthyer dialogut parlamentar, ndoshta krahas organizimit, zhvillimit dhe mbështetjes së protestave paqësore që do të demonstrojë populli opozitar në bulevardet e qyteteve të mëdha apo përpara institucioneve kryesore qeveritare. Ftesën për në sallën kuvendore e bëri edhe kryeministri, duke veshur madje, sipas stilit të vet të zakonshëm të hipokrizisë, kostumin e iniciatorit të dialogut politik.
Mirëpo, siç shfaqen hë për hë skena të ndryshme, imazhet e kësaj tangoje përveçse mbeten virtuale, mund ta zëvendësojnë dialogun politik me debate akoma më të zjarrta, konfrontuese dhe mjaft të dëmshme. Sepse, ndonëse Kryetari i Qeverisë dhe njëherësh lider i maxhorancës parlamentare, kur u tregua i gatshëm për dialog ftoi opozitën të paraqiste amendimet e nevojshme për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar për miratim dhe shfaqi gjoja një gatishmëri thuajse totale për të respektuar kundërshtarët e vet politikë, ai ishte që e quajti të mbyllur çështjen e votimeve, në një kohë që e di fare mirë se përsëri çështja do t’i kalojë për shqyrtim dhe për të vendosur Kolegjit Zgjedhor apo deri edhe Gjykatës Kushtetuese. Dhe, njëkohësisht, u mburr nga Brukseli, se rezultatet e nxjerra nga KQZ – ja në Tiranë treguan funksionalizimin e shtetit të së drejtës (?!).
Njëherazi, po ai ishte, që me grupin e vet parlamentar ktheu mbrapsht së fundmi dekretet e Presidentit për emërimin e tre gjyqtarëve kushtetues, pa ia nënshtruar ato votimit kuvendar për dhënie pëlqimi ose, duke shkelur kështu Kushtetutën nëpërmjet mosveprimit. Në një kuptim më të përgjithshëm dhe të palëkundur, ai ishte, që me këto deklarata dhe gjeste shumë shprehëse theksoi refuzimin e tij për të mos hequr dorë nga ushtrimi i varësisë me formave të ndryshme që u bën institucioneve të pavarura, si Gjykata Kushtetuese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, organet e drejtësisë etj., të cilat nuk duhet të ndikohen gjatë veprimtarisë së tyre nga faktorët politikë dhe nga presionet partiake. Pra, ai ishte, që me këto deklarata dhe gjeste shumë shprehëse theksoi refuzimin e tij për të mos hequr dorë nga ushtrimi i çdo trysnie antikushtetuese dhe antiligjore, për interesa të drejtpërdrejta të mbajtjes së pushtetit të vet personal, në dëm të perspektivës zhvillimore të një vendi të tërë.
Objekt i këtyre radhëve nuk ishte të tregoheshin rrugët më të efektshme që duhet të ndiqen për ta kthyer vendin në rrugën e normalitetit. Jo, thjesht, të shtronte idenë se, në kushtet e krijuara, me efektet që rrjedhin prej tyre, nuk duket kaq i lehtë zhvillimi së shpejti i një dialogu konstruktiv midis forcave politike kryesore. Fundja, është njësoj si të thuhet që këmbanat s’dëgjohen kur këmbana s’ka.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›