“Kemi nevojë për ndihmë”- Tërmeti katastrofik me mbi 800 viktima në Afganistan! Banorët gërmojnë me duar nën rrënoja, kërkojnë të afërmit e tyre, fëmijë dhe të moshuar të bllokuar nën gërmadha!

Deri më tani, mbi 800 persona kanë humbur jetën, ndërsa rreth 2,800 janë plagosur, sipas autoriteteve dhe organizatave ndërkombëtare të ndihmës.
Pamjet dhe dëshmitë nga vendngjarja janë tronditëse. Qytetarët po gërmojnë me duar të në rrënojat e shtëpive të shembura, në përpjekje për të shpëtuar ata që mund të jenë ende gjallë.
Agjencia e OKB-së për fëmijët, UNICEF, ka konfirmuar se ka ekipe në terren, të cilat po punojnë me autoritetet lokale për të identifikuar zonat më të goditura.
“Qasja rrugore është ende e pamundur në disa zona. Disa fshatra janë ndërtuar njëri mbi tjetrin në terren malor, dhe kjo i ka bërë pasojat edhe më të rënda”, tha Salam Al Janabi, zëdhënës i UNICEF në Kabul për BBC.
Sipas tij, prioritetet mbeten shëndetësia, mbrojtja e fëmijëve, uji i pijshëm dhe sistemet e kanalizimeve.
Sadiqullah, banor i zonës Maza Dara në Nurgal, ka përjetuar momentet më të errëta të jetës së tij. Ai humbi gruan dhe dy djemtë në tërmet, ndërsa vetë mbeti i bllokuar për orë të tëra nën rrënoja.
“Isha gjysmë i varrosur dhe nuk mund të dilja. Gruaja dhe dy djemtë e mi kanë vdekur. Babai është i plagosur dhe është në spital me mua”, tregoi ai nga spitali i Nangarhar, ku po trajtohet.
Një tjetër banor, Faridullah Fazli, tha për BBC se tërmeti e zgjoi në mes të natës me një zhurmë të frikshme. “Ishte një ndjesi si të lëvizte gjithë mali. Pas tërmetit pati dridhje të vogla dhe ato ende vazhdojnë”, tha ai.
Fazli nxitoi drejt një klinike për të ndihmuar në transportimin e të plagosurve. “Ishte një situatë shumë e frikshme, thjesht një atmosferë frike dhe terrori”, rrëfeu ai.