Kënde të reja lojërash, më shumë hapësira argëtuese për fëmijët në Kukës

Këndet e reja të lojërave, të vendosura rreth një jave më parë në parkun qendror të qytetit të Kukësit, po frekuentohen çdo ditë nga një numër i madh i fëmijëve të të gjitha moshave.
Në orët e para të ditës, por edhe në mbrëmje, dhjetëra vogëlushë shijojnë lojërat me bashkëmoshatarët e tyre.
Prindërit dhe gjyshërit shprehen të kënaqur me këtë investim, që e konsiderojnë me vlerë për komunitetin, pasi fëmijët kanë më në fund një vend të sigurt dhe të gëzueshëm për të kaluar kohën e lire.
“Kam nipin dhe mbesën këtu. Lojërat janë shumë të bukura. Janë të vonuara, por prapë më mirë që kanë ardhur tash, sepse ka kohë që i presim. Me kalamajtë shkonim në privat, andej-këndej, me zor gjenim radhën. Na del detyrë neve që t’i mirëmbajmë, neve si shoqërues. T’u tregojmë atyre të mos dëmtojnë,” shprehet një qytetar.
Ky investim është fryt i bashkëpunimit mes Bashkisë së Kukësit dhe Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA).
Përveç këtyre ndërhyrjeve, shumë shpejt pritet të nisë edhe një projekt i ri për zgjerimin e hapësirave rekreative dhe shtimin e lojërave për fëmijë. Ky hap konkret synon përmirësimin e cilësisë së jetës urbane në Kukës me fokus te fëmijët dhe te krijimi i një ambienti të shëndetshëm dhe të sigurt për gjithë komunitetin.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/