E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Këpucët e Krishtlindjes”, nisma e fundvitit për fëmijët në nevojë

Prej 4 vitesh, nisma “Këpucët e Krishtlindjes” shtrihet edhe në Korçë në fundvit. 6 vullnetaret që i janë bashkuar nismës, sigurojnë këpucë të cilat më pas u shpërndahen fëmijëve të familjeve në nevojë, për të ngrohur zemrat e tyre në këto ditë festash. Vullnetarja Stela Viso bën apel që të jemi më solidarë e më të bashkuar edhe mbi të gjitha për t’iu ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

“Një gjë e veçantë dhe shumë e bukur këtë vit është se ne do të shkojmë pranë të rinjve dhe fëmijëve që frekuentojnë atelien në qytetin e Korçës të cilët janë me aftësi ndryshe”, u shpreh Stela Viso, Vullnetare e nismës “Këpucët e Krishtlindjes”.

Një sërë institucionesh i janë bashkuar kësaj nisme, qytetarë dhe anëtarë të shoqatave joqeveritare.

“Nga viti në vit ne shohim ndërgjegjësim të qytetarëve, të organizatave jo fitimprurëse, ndërgjegjësim të individëve që kanë influencë në qytetin tonë të cilët i janë bashkuar nismës tonë dhe kanë dhuruar”, u shpreh Xhensila Kokoshi, Vullnetare e nismës “Këpucët e Krishtlindjes”.

Ndërkohë sot, dhurime janë bërë nga nxënësit e gjimnazit “Ymer Dishnica”. Këpucët që do të mblidhen brenda këtij muaji, do t’u dhurohen fëmijëve në nevojë, ndërsa risi e këtij viti është se ato do shpërndahen edhe në fshatin Drithas dhe në qytetin e Bilishtit.

Gazetare: G. Sali

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›