Kërcënimet e Putin, Zelensky: Bota nuk mund ta lejojë atë të përdorë armë bërthamore

Presidenti i Ukrainë, Volodymyr Zelensky tha se bota nuk do të lejojë Vladimir Putin të përdorë armë bërthamore. Deklarata e Zelenskyt vjen pas mobilizimit të pjesshëm të shpallur nga presidenti rus të mërkurën në mëngjes, mobilizimi i parë i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kërcënimeve për përdorimin e armëve bërthamore.
“Nuk besoj se Putini do t’i përdorë këto armë. Unë nuk mendoj se bota nuk do ta lejojë atë të përdorë këto armë”, tha Zelensky në një intervistë për Bild.
“Nesër Putini mund të thotë: përveç Ukrainës, ne duam edhe një pjesë të Polonisë, përndryshe do të përdorim armë bërthamore. Ne nuk mund t’i bëjmë këto lëshime”, theksoi ai.
Ukraina ka rimarrë pjesë të territorit të saj pas një kundërsulmi rrufe në javët e fundit, duke shkaktuar viktima në rritje mbi trupat ruse. Mobilizimi i pjesshëm i shpallur nga Putin erdhi si një “përgjigje ndaj dështimeve të Rusisë në fushën e betejës”, argumentoi Zelensky.
Lidhur me rifillimin e negociatave të paqes mes Kievit dhe Moskës, presidenti ukrainas tha se kjo mund të ndodhë vetëm nëse lideri rus tërheq forcat e tij nga territoret ukrainase.
Vlen të përmendet se pas fjalimit të Putinit, Kina përmes zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme Wang Wenbin, u bëri thirrje të gjitha palëve për një “armëpushim përmes dialogut”, në një deklaratë të pazakontë publike që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë.
“Ne u bëjmë thirrje palëve që të zbatojnë një armëpushim përmes dialogut dhe konsultimit dhe të gjejnë një zgjidhje që adreson shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha palëve sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Wang Wenbin gjatë një konference për shtyp./ CNN.gr
/rtsh.al/