E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënimi amerikan për Iranin, Teherani thotë se bllokada ekonomike do të ketë ndikim global

Irani ka reaguar kundër planeve të Shteteve të Bashkuara për vendosjen e sanksioneve të reja ekonomike, të cilat pritet të rrisin presionin mbi ekonominë e vendit dhe të prekin edhe partnerët e tij tregtarë, veçanërisht Kinën.

Pas muajsh konflikti mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit situata mbetet e tensionuar. Edhe pse aktualisht nuk ka sulme të drejtpërdrejta, nuk ka ende shenja për rifillimin e negociatave të paqes.

Një nga problemet kryesore është Ngushtica e Hormuzit. Trafiku detar në këtë zonë është pothuajse paralizuar. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se vetëm pak anije kanë kaluar nëpër ngushticë, ndërsa transporti i naftës dhe gazit është prekur rëndë. Ndërsa Irani ka paralajmëruar se mund të godasë anijet që kalojnë pa autorizim.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, pritet të njoftojë të hënën masa të reja ndaj Iranit, të cilat SHBA-ja i ka cilësuar si ndër sanksionet më të ashpra të vendosura ndonjëherë.

Uashingtoni po kërkon gjithashtu bashkëpunimin e Kinës, e cila është blerësi kryesor i naftës iraniane. Pekini, ndërkohë ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike.

Teherani i ka cilësuar sanksionet e reja si të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare, ndërsa autoritetet ushtarake iraniane kanë paralajmëruar se çdo kërcënim ndaj vendit do të marrë përgjigje ushtarake.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›