Kërcënimi i Topit, dekretet : Do përdor praktikat e Kuvendit"
"Partitë duhet të respektojnë standardet"
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, një ditë pas rrëzimit në Kuvend të njërës prej kandidaturave të tij për anëtar të ri të Gjykatës së Lartë, vlerësoi metodologjinë rigoroze që po përdor Kuvendi. Ky është komenti i bëri dje nga Presidenti Topi në lidhje me votimin në Kuvend të dekreteve të tij për në Gjykatën e Lartë, ku mazhoranca, ndryshe nga aleatja e saj, LSI, rrëzoi kandidaturën e Sokol Çomos, ndërkohë që ka paralajmëruar rrëzimin edhe të prokurorit Vexhi Muçmataj. I vetmi që kaloi në seancën parlamentare të ditës së enjte, është kandidati Medi Bici, i cili tashmë është anëtari më i ri i Gjykatës së Lartë. Duke folur që nga Thethi, ku është zhvilluar konferenca "Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm - Paqe sociale", kreu i shtetit, Bamir Topi, bëri të qartë se nuk dëshiron të bëjë komente për kompetencat e Kuvendit, por theksoi se vlerëson metodologjinë që po përdor ky institucion. Sipas tij, duhet të nxirret mësim që edhe institucioni i Presidentit të përdorë në mënyrë rigoroze kandidaturat që vijnë nga pushtetet e tjera. Më tej, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i bëri thirrje mazhorancës dhe opozitës të respektojnë standardet politike.
Kam bërë disa herë komente për situatën politike. Partitë duhet të respektojnë standardet. Duke mos mbajtur qëndrime unilaterale, gjërat bëhen më të zgjidhshme, - deklaroi z. Topi. Kreu i shtetit foli edhe për datën e zgjedhjeve të ardhshme duke shpresuar se data do të jetë në pranverën e ardhshme. Për sa i përket forumit, Topi duke e cilësuar Thethin si kartolina më e bukur e Veriut, theksoi se me shkuarjen e tij atje, ai ka zbuluar mrekullinë shqiptare. Topi gjithashtu theksoi se do të ketë shumë projekte në të ardhmen e afërt për Thethin, duke shtuar se parku i Bjeshkëve të Nemuna, që prek tri vendet: Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, do të bëhet projekt turistik për të tria vendet.
Ndërkohë që ambasadori gjerman në Tiranë, Borchardt, i cili ka marrë pjesë në forum, ka lançuar projektin e bashkëpunimit rajonal Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi për Bjeshkët e Nemuna. Pikërisht nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Bamir Topi, u organizua mesditën e djeshme në Theth, në sheshin para kishës, konferenca në formë kuvendi, Zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm Paqe sociale, me pjesëmarrjen e zëvendësministres së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, funksionarëve të lartë të pushtetit lokal dhe rajonalë, përfaqësues diplomatikë të akredituar në Shqipëri, si ambasadori gjerman, Bernard Borchardt, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, ambasadori Lohan, përfaqësues të donatorëve të vendeve mike në Shqipëri, si dhe banorë të kësaj krahine. Pas fjalës së mirëseardhjes dhe një prezantimi të shkurtër për Thethin nga kryetari i komunës Shalë, Dedë Tonaj, përshëndeti zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, si dhe ambasadori i Republikës së Gjermanisë në vendin tonë, Bernard Borchardt.
Në vijim, me një fjalë të posaçme, kësaj konference dhe të pranishmëve në të iu drejtua Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë qëndrimit në Theth, Presidenti Topi vizitoi Kullën e Ngujimit, e cila përfaqëson simbolikisht një traditë anakronike të gjakmarrjes dhe tashmë të lënë pas në vendin tonë dhe të tjera vende piktoreske, për të cilat Thethi është i shquar si një ndër zonat më të bukura turistike të vendit tonë.