Kërkohej nga Spanja për kultivim droge, kapet në Tiranë 37-vjeçari

Policia ka vendosur në pranga një 37-vjeçar i cili kërkohej nga autoritetet spanjolle pasi gjykata e Malagës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” pas akuzohej për kultivim të bimëve narkotike.
37-vjeçari me iniciale GJ. C alias GJ.K është arrestuar në Tiranë gjatë një operacioni të policisë e cila kishte konstatuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Muajin e kaluar Gjykata e Malagës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, ndërsa pas kapjes së tij nga policia shqiptare pritet ekstradimi drejt Spanjës.
Sipas njoftimit të policisë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
Njoftimi i plotë i policisë:
Akuzohet nga Gjykata e Malagës, për kultivim të bimëve narkotike, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Spanjë, 37-vjeçari.
Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u finalizua operacioni i radhës, i koduar “Operacionalja 76”.
Gjatë këtij operacioni, u kap në Tiranë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar: Gj. C. alias Gj. K., 37 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gykata e Malagës, Spanjë, me vendimin e datës 14.11.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madridin, do të kryejë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi”
/rtsh.al/