E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë të ndërpritet procesi i privatizimit të PTK-së

FSP e PTK-së kërkon që menjëherë të ndërpritet procesi i privatizimit të PTK-së dhe Besim Beqaj , ministër i Zhvillimit Ekonomik të shpallë për herë të dytë dështimin e shitjes të PTK-së. Më 24 janar ministri Beqaj, me rastin e shtyrjes së afatit për dorëzim të ofertave për 14 mars publikisht ka deklaruar se kjo shtyrje e afatit është shtyrje e fundit. Ai ka thënë se kjo do të jetë shtyrja e fundit, dhe se nuk ka asnjë mundësi që të ketë afate tjera. “Sikur Besim Beqaj këtë deklaratë ta kishte dhënë në emër të tij personal nuk do të kërkonim përgjegjësi nga ai, mirëpo meqenëse këtë deklaratë e ka dhënë në cilësinë e ministrit kërkojmë që ti përmbahet deklaratave publike ,të cilat moralisht dhe ligjërisht e obligojnë”, thuhet në komunikatën për media të FSP të PTK-së.

FSP ka prezantuar argumentet pse nuk duhet të shitet PTK-ja tani. Sipas tyre PTK-ja është kompani fitimprurëse e cila me fitimet e veta ka kontribuar në zhvillimin e shtetit. Vetëm 5 vitet e fundit PTK i ka dhënë më shumë se 400 milion euro shtetit; Mungon konsensusi i të gjithë faktorëve relevant the popullit të Kosovës për shitje të PTK-së; Mungon vendimi i kuvendit për shitje të PTK-së; Mungon Ligji i veçantë për privatizim të PTK-së; Mungon marrëveshja kolektive në nivel të PTK-së; Mungon transparenca e procesit të shitjes të PTK-së.

Përveç kësaj, thotë FSP, është rrezik që kompania e cila ka të hyra afër 200 milion euro në vit të shitet me çmim më të ulët se 200 milion euro. Është rrezik që me shitjen e PTK-së, pronari i ri të ngritë menjëherë çmimet e shërbimeve, sepse kjo ka ndodhë në shumicën e shteteve të cilat i kanë shitur telekomet e tyre. Me rast të privatizimit të PTK-së do të ndodhë largimi i një numri të konsiderueshëm të punëtorëve të PTK-së, si në të gjitha rastet e privatizimeve të telekomeve në shtete tjera.

Të metat e privatizimit të PTK-së dhe rreziqet ekonomike për Kosovën argumentohen edhe në artikullin e gazetës prestigjioze Amerikane 'The Wall Street Journal' me titull “Kosovo Privatization a Litmus Test of Country's Direction”. “Ne mendojmë që shitja e suksesshme e PTK-së do të ndodhë nëse mënjanohen të gjitha të metat e procesit të privatizimit të PTK-së dhe për çfarëdo arsye të hyrat e PTK-së do të zbresin në 100 milion e uro në vit”, thekson FSP.

Vetëm në këtë rast kuvendi do të ketë arsye të marrë vendim për shitje të PTK-së. Gjithashtu pas marrjes të vendimit për privatizimin e PTK-së, kuvendi duhet të aprovon ligjin e veçantë për shitje të PTK-së. Me këtë ligj përveç tjerash propozojmë që të ndahen 15% e aksioneve të PTK-së dhe ti barten në pronësi veteranëve të UCK –së për shkak të meritave dhe sakrificës për lirinë që kemi, dhe 5% të aksioneve të PTK-së duhet të barten në pronësi të punëtorëve të PTK-së sepse janë të diskriminuar në krahasim me punëtorët tjerë në Kosovë, të cilët me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve të tyre kanë përfituar 20% të çmimit të shitjes të këtyre ndërmarrjeve, thuhet mes tjerash në fund të këtë komunikatë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›