Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton buxhetin 2013 vetëm me votat e mazhorancës
Këshilli bashkiak i Tiranës miratoi ditën e sotme buxhetin për vitin 2013vetëm me votat e mazhorancës. Projektbuxheti i bashkisë së Tiranës u miratua me 28 vota pro, 12 kundër dhe asnjë abstenim, duke i hapur kështu rrugën investimeve të vitit në vazhdim për zhvillimin e kryeqytetit.
Buxheti 2013 është prezantuar gjatë mbledhjes së sotme nga kreu i bashkisë, Lulzim Basha i cili i ka bërë thirrje opozitës të votojë pro këtij buxheti, vlera e të cilit për vitin 2013 shkon në 80 mln dollarë, që sipas tij do të shkojë për investime dhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Tiranës.
Basha deklaroi se investimet e parashikuara për 2013 do të jenë afatgjata dhe pritet të vijojnë në vitet në vazhdim, ndërsa vlerësoi si element të rëndësishëm në suksesin e bashkisë në kryeqytetit, bashkëveprimin shumë të mirë me qeverisjen vendore.
Ndërkohë, ky buxhet është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka konsideruar atë si jo transparent, duke akuzuar njëkohësisht Bashkinë e Tiranës se nuk ka treguar se si realizoi buxhetin e një viti më parë.
Socialistet akuzuan Bashkinë e Tiranës për reduktim të investimeve dhe shtim të shpenzimeve për paga dhe sigurime shoqërore për shkak të shtimit të punonjësve në strukturat e bashkisë.
24 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton buxhetin 2013 vetëm me votat e mazhorancës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP