E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Këshilli Drejtues i RTSH-së vendos pezullimin e procesit të zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Këshilli Drejtues i Radio Televizionit Shqiptar vendosi ditën e sotme me shumicë votash që të pezullojë procesin e zgjedhjes së Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH-së, deri pas seancës dëgjimore në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Vendimi i Këshillit Drejtues erdhi pas kërkesës së Komisionit të Medies për t’u njohur me ligjshmërinë e procedurave të ndjekura deri më tani për përzgjedhjen e kandidatëve të kualifikueshëm.

Gjatë mbledhjes së datës 27 janar, komisioni ad-hoc i ngritur nga Këshilli Drejtues votoi pesë platforma të paraqitura dhe kualifikoi dy kandidatë për fazën e dëgjesës.

Javën e ardhshme në Komisionin e Medies është parashikuar të mbahet seanca dëgjimore me Këshillin Drejtues.

Lidhur me këtë proces, pati reagime nga përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës nga Komisioni Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Drejtuesja e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, Ina Zhupa tha se “Këshilli Drejtues shpik rregulla që nuk ekzistojnë, skualifikon 8 kandidatë që plotësojnë çdo kriter ligjor duke shkelur ligjin”.

Reagimin e Zhupës e mbështeti edhe nënkryetarja socialiste e komisionit, Evis Kushi, e cila paralajmëroi ndërhyrjen e Kuvendit në proces. /j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›