E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli Prokurorial: Vrasja e Arlinda Zekajt, pasojë e neglizhencës

PRISHTINË, 30 tetor/ATSH/ Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dha arsyetimin e vendimit të mbledhjes së të enjtes për pezullimin e kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferrin, e cila ishte prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, e vrarë të dielën mbrëma të 25 tetorit.

Sipas vendimit, “Vuçetaj gjatë gjithë kohës si udhëheqëse e prokurorisë përkatëse kishte pranuar kërkesa nga pala e dëmtuar, tani e ndjera A.Z., ishte në dijeni për urgjencat e kërkesave të saj dhe me theks të veçantë së të njëjtës po i kanosej jeta, ishte në dijeni për të gjitha raportet nga prokurorët të cilët kanë trajtuar rastet ku e ndjera ka qenë palë e dëmtuar, ishte e njoftuar edhe me raporte zyrtare policore lidhur me nivelin e rrezikshmërisë të cilën i kanosej të ndjerës A.Z,., ishte e njoftuar përmes KPK-së, kryesuesit Arian Gashi dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ku këta të fundit në njoftimet e tyre kishin kërkuar trajtimin e kërkesave urgjente të palës, por znj. Vuçetaj kishte dështuar në ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale që kërkohen me ligjin në fuqi, duke mos marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara”.

Sipas KPK-së, si pasojë e neglizhencës së vazhdueshme të kryeprokurores Lumturije Vuçetaj në trajtimin e kërkesave urgjente të Arlinda Zekajt, kishte ardhur deri te pasojat fatale.

Në arsyetimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për zëvendësprokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri thuhet se më 22 tetor ku Policia ishte informuar për shkeljen e vendimin të urdhërmbrojtjes ndaj Arlinda Zekajt, e cila kishte raportuar se në shtëpinë e saj po qëndronin nëna dhe vëlla i bashkëshortit dhe se ky i fundit e kishte kanosur, prokurorja kishte udhëzuar që tani i pandehuri A.S. të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, duke anashkaluar faktin e kanosjes direkte për privim nga jeta dhe duke mos vlerësuar rrezikshmërinë që po i kanosej direkt tani të ndjerës A.Z.

KPK-ja vë në dukje se Arlinda Nallbani-Gacaferri nuk veproi, edhe pse ishte e njoftuar vazhdimisht për kërkesat urgjente të Zekajt, informacione që i posedonte meqë ushtronte edhe pozitën e Koordinatores për Dhunë në Familje.

“Znj. Nallbani-Gacaferri kishte dështuar në ndërmarrjen e veprimeve prokuroriale që kërkohen me ligjin në fuqi, duke mos marrë parasysh seriozitetin e kërkesave të parashtruara, seriozitetin e raportimeve kur ka vepruar si prokurore kujdestare më 22.10.2026”.

Nallbani-Gacaferri në mënyrë të vazhdueshme nuk ka ndërmarrë veprime prokuroriale sipas ligjit, “nuk ka marrë parasysh provat dhe faktet gjatë hetimit të krimit, nuk ka siguruar dëshmi dhe fakte gjatë hetimit që mblidhen në përputhje me ligjin dhe konkretisht nuk ka marrë parasysh kërkesën e të dëmtuarës për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e saj”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndaj kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj dhe prokurores Arlinda Nallbani Gacaferri është hapur edhe procedurë disiplinore dhe është themeluar panel hetimor për trajtimin e rastit.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›