E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mbështet protestat paqësore

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë kërkon dialog mes studentëve dhe institucioneve, vetëpërmbajtje nga Policia e Shtetit dhe respektim të së drejtës kushtetuese për protestë paqësore.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka shprehur mbështetjen për studentët dhe qytetarët që protestojnë për arsim cilësor, dinjitet, mirëqeverisje dhe një të ardhme më të mirë në Shqipëri, duke kërkuar që shqetësimet e tyre të marrin përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Në një deklaratë të publikuar më 19 tetor 2026, KASH thekson se protestat pasqyrojnë një krizë të thelluar besimi ndaj institucioneve publike dhe qeverisjes, e cila, sipas tij, mund të kapërcehet përmes transparencës, llogaridhënies dhe dialogut të sinqertë.

“Forca nuk është argument. Argumenti është forcë”, thuhet në deklaratë, ku Këshilli u bën thirrje protestuesve të ruajnë karakterin paqësor të tubimeve dhe të distancohen nga aktet e provokimit apo dëmtimit të pronës publike dhe private.

Një thirrje i drejtohet edhe Policisë së Shtetit dhe forcave të rendit, të cilave KASH u kërkon të tregojnë vetëpërmbajtje dhe profesionalizëm, të shmangin përdorimin e tepruar të forcës dhe të garantojnë respektimin e ligjit, proporcionalitetit dhe të drejtave të njeriut.

Sipas Këshillit, qeveria dhe autoritetet përgjegjëse duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për kapërcimin e situatës, duke zgjedhur dialogun konstruktiv dhe masa konkrete në përgjigje të kërkesave të studentëve.

Në deklaratë, KASH u bën thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë të nxisin vetëpërmbajtjen e autoriteteve, respektimin e së drejtës për protestë paqësore dhe mbështetjen e një zgjidhjeje demokratike e të qëndrueshme.

Në përfundim, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson se interesat e vendit dhe e ardhmja e rinisë duhet të qëndrojnë mbi çdo interes politik apo pushteti, duke e mbyllur deklaratën me mesazhin: “Shqipëria mbi të gjitha.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›