E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i BE vlerëson punën e SPAK: Të ruhet pavarësia e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe e Gjyqësorit

Progresi i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, sundimi i ligjit dhe pavarësia e pushteteve ishin disa nga elementet e prekura në raportin e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Në dokumentin ku listohen gjetjet për vendet kandidate, Këshilli vlerëson punën e bërë sa i përket drejtësisë, megjithatë thekson nevojën e forcimit të kapaciteteve në mënyrë që institucionet të sjellin rezultate më të forta.

Këshilli i BE: Këshilli mirëpret rezultatet e mira të arritura tashmë nga SPAK dhe gjykatat e tij, përfshirë në çështje të korrupsionit të nivelit të lartë. Këshilli mirëpret gjithashtu bashkëpunimin e mirë me BE-në dhe agjencitë e zbatimit të ligjit të shteteve anëtare, i cili duhet të vazhdojë, përfshirë bashkëpunimin në hetimet financiare.

Presidenca evropiane vendos gjithashtu nota pozitive në zbatimin e vazhdueshëm të reformës gjyqësore, ndërsa theksohet nevoja për ruatjen e pavarësisë dhe integritetit të strukturave.

Këshilli i BE: Këshilli thekson rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, përfshirë Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe të forcimit të mëtejshëm të qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë ndaj ndërhyrjeve të brendshme ose të jashtme. Këshilli rikujton gjithashtu rëndësinë që Shqipëria të sigurojë mbrojtje efektive gjyqësore dhe zbatim të qëndrueshëm të vendimeve të gjykatave.

Por jo vetëm drejtësia. Një tjetër kërkesë e paraqitur në raport për Shqipërinë, ishte reforma zgjedhore duke sjellë si shembull mangësite nga zgjedhjet e 11 majit.

Këshilli i BE: Këshilli vëren se zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 ishin konkurruese, pavarësisht mangësive të identifikuara, të cilat duhet të adresohen. Në këtë kuadër, Këshilli bën thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.

Ndërkaq, menaxhimi i territorit, zhvillimi ekonomik dhe politika e jashtme u cilësuan në progres e sipër. Gjithashtu Këshilli i BE theksoi se Shqipëria duhet të vijojë punën sa i përket plotësimit të grupkapitujve në mënyrë që të përballojë njësoj si vendet anëtare tregun dhe politikat e unionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›