Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton rregulloren e re për dosjet e personelit, prokuroritë 3 muaj afat për të përgatitur dosjet personale

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar Rregulloren “Për përmbajtjen, procedurën dhe administrimin e dosjeve të personelit në sistemin e prokurorisë”.
Ky vendim, synon të standardizojë dhe të rregullojë në mënyrë të detajuar administrimin e dosjeve të të gjithë punonjësve të sistemit të prokurorisë, duke përfshirë nëpunësit civilë dhe punonjësit e tjerë administrativë.
Qëllimi dhe fusha e zbatimit
Rregullorja ka si qëllim kryesor përcaktimin e rregullave të hollësishme për përmbajtjen dhe administrimin e dosjeve personale.
Ajo është e detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjitha institucionet e prokurorisë në Shqipëri, duke përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe të gjitha prokuroritë pranë gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, shkruan rtsh.al.
Përmbajtja e dosjes personale
Dosja personale e çdo punonjësi do të jetë individuale dhe do të përmbajë një sërë dokumentesh të rëndësishme. Këto përfshijnë:
Të dhëna të përgjithshme personale (si fotokopje letërnjoftimi, certifikata familjare, adresa e banimit).
Të dhëna akademike dhe profesionale (diploma, lista e notave, dëshmi kualifikimesh, gradash shkencore, apo njohja e gjuhëve të huaja).
Dokumente që lidhen me punën dhe karrierën (akti i emërimit, libreza e punës, raporte mjekësore, dhe aktet e masave disiplinore, nëse ka).
Të gjitha dokumentet duhet të jenë origjinale ose kopje të noterizuara.
Administrimi dhe konfidencialiteti
Përgjegjësia për mbajtjen dhe administrimin e dosjeve është e Sekretarit të Përgjithshëm të Prokurorisë së Përgjithshme dhe e kancelarëve të prokurorive të tjera. Dosjet do të ruhen si në formë fizike, ashtu edhe elektronike, në përputhje me ligjet për arkivat dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Punonjësit janë të detyruar të përditësojnë menjëherë dosjet e tyre personale në rast ndryshimesh. Të dhënat e dosjeve kanë karakter konfidencial dhe aksesi lejohet vetëm për persona të caktuar nga ligji, si punonjësi vetë, eprorët e tij direkt, dhe drejtuesit e institucioneve.
Të gjitha prokuroritë kanë një afat prej 3 muajsh për të përgatitur dosjet personale të stafit sipas kërkesave të rregullores së re.
/rtsh.al/