E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Prokurorisë së Kosovës shkarkon kryeprokurorin Blerim Isufajn: Keqmenaxhoi institucionin

Këshilli i Prokurorisë së Kosovës (KPK) ka vendosur të premten, 2 tetor, të largojë Blerim Isufajn nga detyra e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Vendimi është marrë në një takim të jashtëzakonshëm të KPK-së, pas shqyrtimit të çështjes dhe vlerësimit të rrethanave institucionale dhe profesionale.

Sipas KPK-së, vendimi është marrë mbi bazën e rrethanave që, sipas Këshillit, janë konstatuar dhe dokumentuar gjatë procedurës përkatëse.

KPK ka renditur disa arsye për largimin e Isufajt nga drejtimi i Prokurorisë Speciale, duke përfshirë keqmenaxhimin e institucionit, jokompetencën në ushtrimin e funksionit, dështimin në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore, si dhe mospërmbushjen e standardeve të kërkuara të performancës.

“KPK vlerëson se në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, janë evidentuar dhe konstatuar, ndër të tjera, këto rrethana: keqmenaxhimi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës; jokompetenca në ushtrimin e funksionit të Kryeprokurorit; dështimi në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të përcaktuara me ligj për pozitën e Kryeprokurorit; mospërmbushja e standardeve të kërkuara të performancës”, thuhet në vendimin e KPK-së.

Këshilli ka theksuar se këto nuk i konsideron si vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por si rrethana që lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksionit dhe përgjegjësitë ligjore të Kryeprokurorit.

“Gjithashtu, KPK thekson se këto nuk përbëjnë vlerësime të përgjithshme apo konsiderata politike, por rrethana të lidhura drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit, përgjegjësitë ligjore të bartësit të tij dhe standardet profesionale e institucionale të kërkuara për drejtimin e Prokurorisë Speciale”, thuhet në vendim.

Pas largimit të Isufajt nga posti i Kryeprokurorit, KPK ka caktuar prokurorin Dren Paca ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale.

Paca do ta ushtrojë këtë detyrë deri në plotësimin e pozitës përmes procedurave të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

“Caktimi i Ushtruesit të Detyrës synon të sigurojë vazhdimësinë e menjëhershme të funksionimit institucional, ushtrimin e pandërprerë të kompetencave të Prokurorisë Speciale dhe garantimin e efikasitetit në trajtimin e rasteve penale”, thuhet në vendim.

Ndërkaq, Blerim Isufaj nuk largohet nga Prokuroria Speciale. Pas shkarkimit nga pozita drejtuese, ai do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e prokurorit në këtë institucion.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›