Këshilltari i DASH bisedon me Vuçiç: Të shmangen provokimet mes Kosovës dhe Serbisë

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet ka zhvilluar një bisede telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Sipas REL, mësohet se ai ka kërkuar shmangien e provokimeve dhe konflikteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Chollet me rëndësi është që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë punën në normalizimin e raporteve ndërsa ka dhënë mbështetjen e SHBA-së për procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Vuçiç dhe Chollet po ashtu kanë biseduar për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe tregtisë mes Uashingtonit dhe Beogradit.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog që nga viti 2011, proces që synon normalizimin e plotë të raporteve. Në shkurt, në Bruksel palët arritën Marrëveshjen bazë drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq një muaj më vonë në Ohër, arritën Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
/rtsh.al/