E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kina "kthen sytë" nga Shqipëria

Rriten eksportet e Shqipërisë drejt Kinës. Lajmi është konfirmuar nga zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, gjatë konferencës së përbashkët me zv/kryetarin e Këshillit të Shtetit të Republikës Popullore të Kinës, Zhang Dejiang. Ditën e djeshme, Shqipëria dhe Kina kanë vlerësuar nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit politik dhe kanë kërkuar zgjerimin e mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Zv/kryeministri kinez u shpreh se vendi i tij është i gatshëm t‘i inkurajojë investitorët kinezë në Shqipëri. "Do të intensifikojmë bashkëpunimin me Shqipërinë në fushat e teknologjisë së informacionit, industrisë minerare, energjetikës dhe infrastrukturës", u shpreh Dejiang.

Zv/kryeministri kinez, Dejiang, dhe delegacioni i tij, vizitoi Shqipërinë me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës. Gjatë bisedimeve mes dy delegacioneve, zv/kryeministri Ilir Meta ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë për njohjen e një Kine të vetme, atë të Republikës Popullore të Kinës. Nga ana tjetër, zv/kryeministri Dejiang kërkoi një prani më të madhe të biznesmenëve shqiptarë në Kinë, me qëllim përmirësimin e bilancit të shkëmbimit tregtar në favor të eksporteve shqiptare. Dejiang theksoi gjithashtu synimin e stimulimit të shkëmbimeve kulturore dhe arsimore, duke shprehur në këtë kontekst dëshirën për hapjen e Institutit të Konfucit në Shqipëri, si dhe e informoi ministrin Meta rreth vendimit të qeverisë kineze për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik në Kinë. Zv/Kryeministri Dejiang e ftoi zv/kryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Meta, për një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, ftesë e cila u pranua me kënaqësi. Me rastin e vizitës së zv/kryeministrit të Kinës, Dejiang, 60-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy popujve tanë, Posta Shqiptare ka prodhuar pikërisht për këtë ngjarje një seri të veçantë pullash postare, të cilat zv/kryeministri Meta ia dhuroi zv/kryeministrit të Kinës. Ditën e djeshme janë nënshkruar edhe gjashtë marrëveshje në fushën ekonomike dhe arsimore mes Shqipërisë dhe Kinës. Marrëveshjet synojnë thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushat e ekonomisë, arsimit, telekomunikacionit, industrisë minerare. Ndër marrëveshjet që u nënshkruan janë memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunim ekonomik midis Ministrisë së Ekonomisë së Shqipërisë dhe asaj të Kinës. Marrëveshja u nënshkrua nga zv/ministri Leonard Beqiri dhe Fu Ziying. Një tjetër marrëveshje është ajo për bashkëpunimin ekonomiko-teknik midis qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kinës. U nënshkrua dje Programi i Bashkëpunimit Arsimor për vitet 2010-2012 midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Republikës Popullore të Kinës. Shqipëria dhe Kina nënshkruan edhe memorandum mirëkuptimi për UMTS/LTE midis kompanisë shqiptare "Eagle Mobile" dhe kompanisë kineze "HuaWei". Një tjetër marrëveshje ishte ajo për bashkëpunim midis "Albtelekom" dhe "ZTE Corporation" për projektin MSAN Data dhe Telefonisë së Gjeneratës së Re në Shqipëri. Marrëveshja e fundit ishte Memorandum Furnizimi të Kromit për vitin 2010.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›