E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinemaja shqiptare, një javë në Moskë

Nga filmi Gjeneral gramafoni

Kinoklubi Miqësia e Popujve në Universitetin e Moskës, do të presë për një javë miq nga Shqipëria. Nga data 8-14 tetor do të zhvillohet në Moskë Java e filmit shqiptar. Aktiviteti organizohet nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Moskë. Një delegacion nga AQSHF, kryesuar nga drejtoresha Elvira Diamanti, do të jetë i pranishëm gjatë ditëve të shfaqjeve. Sipas një njoftimi për shtyp nga AQSHF, gjatë qëndrimit në Moskë, delegacioni do të zhvillojë takime me drejtuesit e Studios Qendrore të Filmit Dokumentar e Mësimor në Moskë, institucion me të cilin AQSHF ka një protokoll bashkëpunimi në sferën profesionale. Për të prezantuar në mënyrë sa më dinjitoze kinematografinë shqiptare, janë përzgjedhur filma dokumentarë e artistikë të realizuar para dhe pas viteve 90. Kështu, dita e parë do të hapet me filmin dokumentar Shqipëria turistike dhe shfaqjen e filmit artistik Skënderbeu, një bashkëpunim shqiptaro-rus i realizuar në kohën e dashurisë shqiptaro-sovjetike. Filmi vjen ën variantin rusisht. Programi do të vijojë të nesërmen me dokumentarin Dashuri në kohë diktaturash, mbi martesat shqiptaro-ruse, realizuar nga gazetarja Genta Popa dhe filmi i Kinostudios Shqipëria e Re, Nëntori i Dytë. Në ditët në vijim do të shfaqen filmat Parullat i Gjergj Xhuvanit, Kolonel Bunker me regji të Kujtim Çashkut, Gjeneral Gramafoni (1978) me regji të Viktor Gjikës, Trishtimi i zonjës Shnajder nga Eno e Pirro Milkani. Java shqiptare do të mbyllet me një prodhim të një viti më parë, Shqiptari, i Johannes Naber, i cili ka merituar disa çmime për aktorin më të mirë protagonist.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›