Kisha Ortodokse e Shqipërisë: Kryepeshkopi Anastas në gjendje të stabilizuar

TIRANË, 4 janar /ATSH/ Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka dalë sot me një njoftim, duke dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.
“Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte i shtruar prej disa ditësh në një nga spitalet e Tiranës. Gjendja e tij paraqitej përgjithësisht e stabilizuar, por për diagnostifikim më të specializuar, mjekët sugjeruan të dërgohet jashtë dhe dje, më datë 3.01.2025, u dërgua në Athinë. Sipas deklaratës së mjekëve të spitalit të Ungjillëzimit, në Athinë, ku po trajtohet, me gjithë historikun e tij të sëmundjeve të ndryshme, gjendja e tij shëndetësore është stabël dhe po ndiqet nga mjekët specialist”, thuhet në njoftimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos, i shtruar prej datës 30 dhjetor në një spital në Tiranë, shfaqi përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe u dërgua në datën 3 janar në Athinë, Greqi, për një trajtim më të specializuar në spitalin “Evangelismos”.
/r.e/