Kisha e Kabashit te Manastiri i Shën Julitës, IKTK miraton listën e monumenteve të kulturës që do të restaurohen

TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Në vijim të punës për mirëmbajtjen dhe restaurimin e Monumenteve të Kulturës, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me DRTK-të, kanë hartuar projektet dhe miratuar në KKTKM duke i hapur rrugë zbatimit të tyre.
Sipas vendimeve të miratuara rezultojnë disa projekte restaurimi dhe konsolidimi për t’u zbatuar. Mes tyre është Ura e Bunës, Kisha e Kabashit, Ura Mesjetare e Gurit dhe Manastiri i Shën Julitës dhe Qiriakut.
Ura e Bunës është Monument Kulture i Kategorisë së dytë (II). U ndërtua me fondet e Qeverise Turke në vitin 1889. Ndërtimi i saj u bë i mundur në sajë të iniciativës së guvernatorit të Shkodrës, Qazim Pasha. Për ndërtimin e Urës së Bunës u përdorën këmbë çimentoje të lidhura me trarë hekuri, si dhe dërrasa për shtrimin e pjesës së sipërme të saj. Në vitin 2017 ura është restauruar, duke ndryshuar shtresën me dërrasa dhe lyerjen e strukturës metalike. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera në vitin 2017, Ura e Bunës ka nevojë për ndërhyrje të tjera, të cilat do të konsistojnë në: zëvendësimin e të gjitha dërrasave në shtresën e sipërme të urës, lyerje me vaj lini dhe antimol i të gjitha materialeve drusore.
Kisha e Kabashit, në fshatin Kabash të Pukës, është pasuri kulturore me status Monument Kulture, Kategoria I. Kisha mendohet të jetë ndërtuar në fundin e shek. XIX. Inspektimi i fundit në objekt është realizuar në prill 2024, nga specialistët e DRTK Shkodër, për të njohur nga afër problematikat që ky objekt kulti shfaq, si dhe për të dhënë një panoramë të qartë të gjendjes aktuale. Struktura në gjendje rrënoje e kishës së Kabashit ruhet në gjendje të mirë, por ka nevojë për një ndërhyrje konsoliduese dhe mirëmbajtëse.
Aty do të kryhet pastrim i rrënjëve dhe bimësisë përreth e në lartësi të muraturës, konsolidim i gurëve dhe kreut të muraturës, restaurim i murit dhe injektim.
Ura Mesjetare e Gurit është Monument Kulture, Kategoria I. Gjendet në fshatin Grabovë e Sipërme në rrethin e Gramshit. Ajo është ndërtuar rreth shek. XVII dhe është urë e tipit me një qemer.
Në kuadër të projektit të restaurimit të Urës Mesjetare të Gurit, janë menduar të ndërhyhet për: Pastrim mekanik i vegjetacionit dhe patinës biologjike; Injektim, fugatim me llaç gëlqere i muraturës; Restaurim mur guri me teknikën shqep-qep.
Manastiri i Shën Julitës dhe Qiriakut, është Monument Kulture, Kategoria I.
Nodhet në Dhuvjan, në qarkun e Gjirokastrës. Në kuadër të projektit të restaurimit, janë menduar të bëhen ndërhyrjet si më poshtë: Restaurim i çatisë me rrasa guri; Rinovim i portës hyrëse prej druri; Konsolidim strukturor i konakut të parahyrjes; Rindërtim i çatisë; Rindërtim i kolonave prej guri; Rindërtim i mureve të konakut; Stabilizim i muraturave; Punime hidroizolimi dhe çatie; Restaurim dyer druri; Pajtim i muraturës së dëmtuar me elementë druri; Pastrim i manastirit nga papastërtitë dhe depozitimet.