Kledi Kadiu, ambasador i UNICEF-it
Mes artistëve të famshëm që ofrojnë imazhin dhe kontributin e tyre në ndihmë të organizatave bamirëse apo në mbështetje të iniciativave të ndryshme antiraciste, gjejmë edhe Kledi Kadiun, balerinin më të njohur shqiptar në Itali. Nuk është hera e parë që e ndeshim në të tilla iniciativa. Para disa vjetësh ka qenë ambasador i UNAR-it, Zyrës Kombëtare Kundër Racizmit. Sot jep kontributin e tij për UNICEF-in, duke u bërë imazhi i fushatës IO come TU. Duke qenë se e ka provuar vetë çdo të thotë vështirësi, emigracion, vuajtje, Kledi Kadiu ka rrëfyer gjithnjë me thjeshtësi rrugën e tij të vështirë, të një shqiptari në emigracion dhe është treguar i ndjeshëm ndaj temave të solidaritetit. Me UNICEF Italia tregon se është afruar rastësisht, falë miqësisë me presidentin e saj, Vincenzo Spadafora. Për të sensibilizuar sa më shumë persona që e ndjekin në turnetë e tij nëpër Itali, shpesh në spektaklet e tij vë edhe posterat e fushatave të ndryshme të UNICEF Italia apo vesh bluza me logon e organizatës. Në 2009-2010 ishte dëshmitar i Pigotta-s, kukullës së famshme, simbol i solidaritetit të UNICEF-it. Ndërsa sot e gjejmë të përfshirë në një tjetër fushatë të organizuar nga UNICEF IO come TU, kundër racizmit racial të fëmijëve dhe të rinjve me origjinë të huaj në Itali. Unë e di çdo të thotë të jesh i huaj, ndaj e bëj me kënaqësi një fushatë të tillë. Unë jam i njohur dhe i suksesshëm, e ndiej si detyrë të ofroj jo vetëm imazhin tim, por edhe ndihmë ekonomike për UNICEF-in që aq shumë bën për fëmijët në të gjithë botën, është shprehur balerini për shqiptariiitalise. com. Madje pas dhjetë ditësh niset në misionin e tij të parë si vullnetar i UNICEF-it në Bangladesh: Nisem më 22 prill dhe do të qëndroj atje për 10 ditë thotë ai. Kledi sot është Ambasador i Kombit, titull që ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu i ka njohur në vitin 2004, për përfaqësim dinjitoz të imazhit dhe të vlerave të Shqipërisë në botë. Shpresojmë që shpejt të bëhet edhe Ambasador i UNICEF-it, ashtu si artistë të tjerë që japin kontributin e tyre me këtë organizatë.