E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Dështimi i zgjedhjeve, barrë mbi qeverinë

Partia Socialiste deklaroi dje se qeveria shqiptare është përgjegjësja kryesore në dështimin e procesit zgjedhor, përderisa ajo vazhdon të mos heqë taksën e votës. Një ditë pas ultimatumit për të hequr taksën e votës, sekretari organizativ në selinë rozë, Blendi Klosi, tha se Kryeministri Berisha po luan rolin e shurdhit, duke mos i dëgjuar kërkesat e opozitës, shoqërisë civile, grupeve të interesit dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, për të hequr taksën e votës. Si rrjedhojë, PS vlerësoi se nëse kjo qeveri do të vazhdojë të aplikojë taksën e votës, do të marrë mbi vete dështimin e shkatërrimit të një procesi zgjedhor, vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë. Në vazhdim, zyrtari i PS-së tha se, edhe pse po afrohet fushata zgjedhore, procesi i realizimit të zgjedhjeve është ende larg kushteve të nevojshme. "Në vitin 2009, qeveria shqiptare aplikon taksën e votës mbi votuesit e saj. Një taksë e cila u privon votuesve shqiptarë të drejtën e tyre, të sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Të drejtën e votës", deklaroi Klosi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›