E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi Si e njoha Liken ne universitet dhe ne SHISH

Ish-drejtuesi i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, deklaron se ai ka një njohje të hershme me kreun aktual të SHISH-it, Visho Likën. Në një prononcim për “Shqip”, Klosi thekson se e njeh Likën nga ambientet e përbashkëta universitare, duke qenë se ka qenë edhe pedagogu i tij.

“Lika ka qenë një student i mirë dhe një matematikan i zoti. Por kjo nuk mjafton për të qenë drejtues i SHISH-it”, theksoi Klosi. Ai gjithashtu theksoi faktin se e ka gjetur Likën drejtor në SHISH gjatë kohës që ka marrë drejtimin e institucionit të “sekreteve”.

“E kam gjetur Likën në zyrat e SHISH-it, në momentin kur mora drejtimin e këtij institucioni si drejtor të zbulimit, me një peshë të rëndësishme në këtë institucion. Nuk i kërkova largimin, por ai u largua vetë. Më vonë mësova edhe faktin se ai kishte pasur një rol tepër të dyshimtë në zgjedhjet e vitit 1996”, deklaroi Klosi.

Nisur nga njohja personale e anës profesionale të Likës, Klosi theksoi se atij nuk i pëlqente fakti se në jetëshkrimin e kreut të ri të SHISH-it ishte theksuar shumë fakti se ai ishte një ekspert teknologjie dhe informatike.

“Shikoj se në jetëshkrimin e tij i është mëshuar shumë faktit se ai është një njohës i mirë i informatikës. Por unë mendoj se SHISH-i nuk ka si detyrë kryesore të transmetojë informacion, por përkundrazi ka detyrë ta mbledhë këtë informacion kryesisht në terren. Ky është thelbi i punës së SHISH-it dhe që bazohet në mbledhjen e të dhënave në terren”, thekson ish-kreu i SHISH-it.

Ai shprehet se koha në të cilën shkarkimi i ishte komunikuar ish-kredituesit të SHISH-it, Bahri Shaqiri, ishte jo e duhura. “Nuk ishte e udhës t’ia thoshin lajmin për shkarkimin në momentin kur ai sapo ishte nisur me pushime”, deklaron Klosi në mbrojtje të Shaqirit.

Por ai thekson se zgjedhja e muajit gusht për të bërë shkarkimin e Shaqirit dhe emërimin e Likës ka një sfond politik dhe që lidhet me faktin se një pjesë e mirë e zyrtarëve të shteteve partnere ishin në pushime. Klosi theksoi se shkarkimi i kreut të SHISH-it ishte një proces normal pas shtatë vitesh, por koha e zgjedhur nga Kryeministri dhe arsyet e këtij shkarkimi kishin shumë pikëpyetje brenda. “Pse nuk e pëlqente Kryeministri ish-shefin e SHISH-in? Arsyet për këtë nuk na i tha kurrë. Në fakt e vërteta është se ai nuk e quante Shaqirin një njeri të vetin dhe kjo mendësi është shumë e rrezikshme për një institucion të tillë”, deklaroi Klosi, duke shtuar se frika ishte se Lika do të zbatonte urdhra të paligjshme të dhëna nga Berisha.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›