E Hënë, 2 Nëntor 2026

Koalicioni “Shqipëria Madhështore” mbyll fushatën në Qarkun e Dibrës, Berisha: Më 11 Maj çdo shqiptar duhet të votojë për Shqipërinë, për kombin

Kreu i Partisë Demokratike dhe i Koalicionit, “Shqipëria Madhështore”, Sali Berisha, ka përmbyllur takimet elektorale në Qarkun e Dibrës, duke zhvilluar një miting elektoral në qytetin e Dibrës, në të cilin ka shfaqur alternativat e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.

Në fillim të fjalës së tij, Berisha ka vlerësuar mikëpritjen e dibraneve dhe dibranëve për pritjen e jashtëzakonshme, entuziazmin, e cila, sipas tij, paralajmëron fitoren historike të opozitës shqiptare në zgjedhje.

Sipas Berishës, në këto zgjedhje çdo dibrane dhe dibran, çdo shqiptare dhe shqiptar, takohet me historinë më 11 maj.

“Me 11 maj merret vendimi solemn për të ndarë Shqipërinë nga diktatura e krimit, drogës dhe mjerimit të shqiptarëve. Për të ndalur kombin nga një rrokullisje që nuk e ka njohur për shekuj me radhë. Fatbardha, mësuesja e nderuar, tha këtu se Edi Rama, e la në Dibër shkollën pa fëmijë, shtëpinë bosh. Do shtoja me një dhimbje të madhe, shkollën pa fëmijë, shtëpinë pa fëmijë dhe djepin bosh. Kurrë ndonjëherë si komb, asnjë luftë, asnjë fatkeqësi nuk është boshatisur në këtë mënyrë”, tha Berisha.

Sipas Berishës, në Mat, vitin e kaluar, ka pasur vetëm 13 lindje. 

“Po vij nga Mati, një matjane e zonja, e aftë, e shkolluar mirë, por që ka ardhur të punojë për Matin dhe Shqipërinë, njoftoi se Mati vitin që kaloi kishte 13 lindje. Erseka në një vit pati vetëm një lindje. Kurrë ndonjëherë ne nuk jemi boshatisur në këtë mënyrë. Çfarë ndodhi me ne? 12 vite miqtë e mi, lëvizjen e lirë, këtë të drejtë madhore të çdo qytetari, Edi Rama e përdori për të përzënë shqiptarët nga Shqipëria”, tha Berisha.

Sipas tij, fermerët e Dibrës falimentojnë njëri pas tjetrit sepse Rama iu hoqi subvencionet, hapi doganat.

“Prodhimet e subvencionuara të fermerëve të Ballkanit, dhe veçanërisht të Serbisë, vërshojnë sot në tregje. Sot 80% e frutave, zarzavateve vijnë nga jashtë. Ndërkohë, tokat mbeten djerrë dhe prodhimet kalben në Shqipëri”, theksoi Berisha.

Akuzat për qeverinë

Berisha, gjatë fjalës së tij, akuzoi Ramën dhe ministrat e tij për vjedhjet, sipas tij, “të pashoq që kanë bërë gjatë regjimit 12 vjeçar”.

“Edi Rama, që mashtron dhe vetëm mashtron shqiptarët, u premtoi atyre shëndetësinë falas. Sot kombi ynë, shqiptarët në Shqipëri, paguajnë në një vit 820 milionë euro për kujdesin e tyre shëndetësor nga xhepi. Sot me qindra mijëra shqiptarë vdesin se nuk marrin dot ilaçet që u duhen. U premtoi shqiptarëve 24 orë ujë, sot mungesa e ujit është më e madhe se kurrë në fshatrat dhe qytetet e vendit. U premtoi arsim modern, sot shkollat janë të zbrazura dhe në rrënim sa asnjëherë tjetër. U premtoi 300 mijë vende pune, përzuri vetëm në BE 1 milion e 99 mijë shqiptarë. Jo vetëm kaq, por krijoi një racë qeveritarësh që qëndrojnë vite drite larg halleve të qytetarëve, që nuk duan t’ia dinë se qytetarët ekzistojnë; që nuk duan t’ia dinë së të sëmurët vdesin në spitale pa ilaçe; që nuk duan t’ia dinë se shëndetësia sot ka zbritur në nivelin e viteve ’60; që nuk duan t’ia dinë se pensionistët nuk blejnë dot ilaçet, nuk marrin dot ushqimet; që nuk duan t’ia dinë se të rinjtë nuk kanë punë dhe duhet të largohen nga Shqipëria”, tha Berisha.  

Ai i bëj thirrje çdo dibrani që e ndjen veten dibran, që e ndjen veten shqiptar, “me 11 Maj të ndëshkojë Pashiqin e shqiptarëve”.

“Shqipëria nuk ka parti, Shqipëria është dheu i shqiptarëve. Kombi nuk ka parti, kombi është jeta, është ekzistenca e shqiptarëve. Ndaj dhe me 11 Maj çdo shqiptar duhet të votojë për Shqipërinë, duhet të votojë për kombin. Pas 12 vitesh, Edi Rama në një akt të turpshëm kalon nga një shesh në një tjetër me nëpunësit e tij që i merr me autobusë dhe i shëtit me detyrim, me teza bajate, me një humor banal, me qëllim të vetëm të mos përballet me ju. Me qëllim të vetëm të fshehë vjedhjet që ka bërë. Rama e ka shtëpinë dy herë më të madhe se Enver Hoxha. Edi Rama e ka të regjistruar në emër të tij, Enver Hoxha nuk e kishte në emër të tij, as të fëmijëve të tij. Enver Hoxha kishte një oborr 2 mijë metra, Edi Rama ka një oborr 8 mijë metra. Miq, nuk duhet të ketë parti dhe asgjë në botë që të na vërë perde para syve për të parë, për të ndëshkuar me votën tonë këtë armik të qenies sonë.”, tha Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›