E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: I njëjti skenar e qëllimi po i vjetër, pengmarrja e të ardhmes së Shqipërisë

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ndau sot pamje nga protestat e dhunshme të ditëve të fundit, si dhe nga protestat e organizuara nga Partia Demokratike në janar dhe shkurt të këtij viti, gjatë të cilave protestuesit hodhën molotovë në drejtim të Kryeministrisë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu i cilësoi protestat si pjesë të të njëjtit skenar, duke akuzuar organizatorët se synojnë të pengojnë të ardhmen e vendit përmes dhunës.

“I njëjti skenar. E njëjta dhunë. E njëjta dorë. Nën petkun e ‘kauzave’ që ndërrohen sipas hallit të ditës, qëllimi mbetet po ai i vjetri: pengmarrja e së ardhmes së Shqipërisë”, shkroi Koçiu.

Zëvendëskryeministrja theksoi se, shqiptarët e kanë parë këtë skenar, e kanë kuptuar këtë lojë dhe e kanë refuzuar atë me pjekuri e me votë.

“E refuzuan dje, e refuzojnë sot dhe do ta refuzojnë sërish sa herë që e shkuara të kërkojë të rikthehet me dhunë”, u shpreh ajo.

“Shqipëria nuk kthehet më pas”, shkroi Koçiu.

/gj.m/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›