E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçiu: Janë certifikuar 124 oficerë të rinj të sigurisë në shkolla, forcim i protokolleve të komunikimit

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu deklaroi sot janë certifikuar 124 oficerë të rinj të sigurisë në shkolla dhe po punohet për të forcuar akoma më shumë protokollet e komunikimit të oficerëve të sigurisë dhe kapacitetet e tyre.

Duke iu përgjigj sot pyetjeve të deputetëve në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, lidhur me fenomenin e dhunës në shkolla, Koçiu u shpreh se, “është një fenomen i cili i përket shoqërisë, i përket komuniteteve, i përket shkollës, patjetër i përket edhe policisë”.

Ministrja theksoi se, “është një përpjekje e përbashkët e të gjithëve për të garantuar që fëmijët në shkolla të ndihen të sigurt”.

Koçiu shtoi se, “janë marrë një sërë veprimesh operacionale, parandaluese dhe sensibilizuese kur vjen puna për evidentimin dhe goditjen e rasteve problematike, apo të shqetësimeve që vijnë nga shpërndarja e lëndëve narkotike në shkolla dhe në ambientet përreth tyre”.

Ministrja u shpreh se “kryhen kontrolle periodike dhe të befasishme në ambientet përreth shkollave, parqeve, lokale, ambienteve të internetit. Monitorim i personave me precedent penal, të evidentuar për veprimtari në fushën e narkotikëve që frekuentojnë zonat e shkollave”.

Gjithashtu, theksoi ministrja, “zhvillohen fushata ndërgjegjësimi me nxënësit, prindërit dhe mësuesit mbi pasojat e drogave. Bashkëpunim i vazhdueshëm me drejtuesit e shkollave dhe mbi të gjitha me figurën e oficerit të sigurisë në shkolla, për shkëmbim të informacionit për rastet e dyshuara”.

Koçiu theksoi se janë certifikuar edhe 124 oficerë të rinj të sigurisë në shkolla.

“Në një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit jo më larg se dy javë më parë ne certifikuam dhe 124 oficerë të rinj të sigurisë në shkolla, të cilët i shtohen trupës së oficerëve të sigurisë në shkolla, që kanë një rol kyç dhe të domosdoshëm ne bashkëpunim me të gjithë komunitetin e mësuesve, por jo vetëm, dhe me oficerin e policisë, i cili ndodhet në perimetrin jashtë shkollës”, tha ministrja.

Koçiu theksoi se po punohet për të forcuar akoma më shumë protokollet e komunikimit të oficerëve të sigurisë dhe kapacitetet e tyre.

“Oficerët e sigurisë janë një hallkë e rëndësishme”, theksoi ministrja, e cila shtoi se, “edhe në këtë drejtim bashkëpunimi i tyre me prindërit dhe me punonjësin e policisë përtej perimetrit të shkollës është i domosdoshëm, dhe në këtë drejtim jemi duke punuar për t’i forcuar akoma më shumë edhe protokollet e komunikimit dhe kapacitetet e tyre, trajnimin e tyre të vazhdueshëm me qëllim përballjen me çdo lloj fenomeni, apo me çdo lloj shqetësimi që vjen patjetër edhe si shkak i përdorimit të theksuar të teknologjisë digjitale, të botës së internetit, të sigurisë dhe të lundrimit të sigurt në internet dhe gjithë këtyre fenomeneve që në fakt janë fenomene që janë për të gjithë shoqërinë tonë, por patjetër shqetësojnë edhe komunitetet e shkollave”.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›