E Enjte, 5 Nëntor 2026

Koçiu: Ndërhyrje e suksesshme laparoskopike në maternitetin “Koço Gliozheni”

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” është kryer një ndërhyrje e suksesshme me pajisjen më të re të laparoskopisë, e cila bën të mundur realizimin e ndërhyrjeve precize mini-invazive me më pak komplikacione dhe shërim të shpejtë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur se një paciente me diagnozën fibromyoma uteri i është nënshtruar një ndërhyrjeje komplekse.

“Hysterektomia me laparoskopi është një procedurë kirurgjikale minimalisht invazive për heqjen e mitrës. Falë profesionalizmit dhe përkushtimit të stafit mjekësor, kjo ndërhyrje ka përfunduar me sukses të plotë dhe pacientja gëzon shëndet të plotë”, u shpreh ministrja.

Ajo shprehu mirënjohje për ekipin e mjekëve dhe infermierëve: Dr. Elko Gliozheni, Dr. Redi Hoxhallari, anestezist Dr. Dritan Xhangolli dhe instrumentare Dorina Aga.

Koçiu theksoi se deri më sot, falë pajisjes së re të laparoskopisë në SUOGJ “Koço Gliozheni”, janë kryer 20 ndërhyrje të suksesshme.

“Kjo teknologji e avancuar do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e trajtimeve kirurgjikale, duke i bërë ato më të sigurta dhe më efektive për pacientët tanë”, u shpreh ajo.

Mjeku obstetër gjinekolog, Redi Hoxhallari u shpreh se me pajisjen e re kemi mundësi të realizojmë procedura të një teknikaliteti të lartë me profesionalizëm dhe teknologji bashkëkohore.
/m.m/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›